Aktuale

Haradinaj: Një orë pune e imja sa shumë vite të opozitës

Kryetari i AAK-së, njëherit kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, iu ka përgjigjur kritikave të opozitës të cilët e kanë quajtur jetëshkurtër qeverisjen e Haradinajt.

Ai në prezantimin e kandidatëve për kryetar të komunave dhe asamblistëve në nga e gjithë Kosova, u ka thënë opozitarëve se një orë e tij e punës është sa shumë vite të tyre.

Kreu i qeverisë, ka thënë se ka shumë në Kosovë që shesin moral në mënyrat më të çuditshme të botës, por e vërteta, sipas tij, është ndryshe. Duke i komentuar kritikat e partive opozitare, tha se ai ka bërë një betim dhe nuk kthehet mbrapa dhe t’i shaj ata që ishin para tij në punë, sepse këtë nuk ia lejon as nderi e tij, as i familjes, por as bindjet e AAK-së.

“Plot njerëz po thonë, i themi Ramushit, i tregojmë Ramushit, i ka kaq e aq ditë, kaq e aq muaj, mos harroni në Kosovë, një orë e Ramushit është sa shumë vite të tyre në punë. Disa më njohin në punë, e i ka kap paniku se e dinë në kohë sa kemi me iu ikë, sa kemi me iu ikë përpara duke iu prirë, sepse nuk mund të na përcjellin prej opozitës, nuk kanë mundësi, nuk kanë parametra. Çdo hallkë e qeverisjes në vend duhet t’i marrë detyrat, përgjegjësisë mos t’i zgjedh të mirat e të lehtat por të gjitha e të arrijë tek qytetari ynë, nuk guxojmë të lëmë qytetarin tonë se vetëm ikja është zgjidhje, e kemi detyrë ta bëjmë jetën në këtë vend”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka kërkuar votën për kandidatët e AAK-së për kryetar të komunave që garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit, por edhe për asamblistët, duke thënë se ata janë njerëzit e këtij vendi dhe do punojnë për ndryshimin që ka filluar. Madje, vetëm forcimi i AAK-së, mundëson këtë.

Kreu i AAK-së, foli edhe për liberalizimin dhe dialogun me Serbinë, ku tha se nuk është vetëm liberalizimi që po e donë Kosova, por Kosova e donë edhe statusin e kandidatit. Derisa dialogu, tha se s’ka alternativë, porse do të rishikojnë qëndrimet e tyre për t’u siguruar se perspektiva është e garantuar.

“Do t’i rishikojmë qëndrimet tona, pra, dialogu s’ka alternativë, fqinjë jemi, historia është tragjike, ne do të ecim përpara, por Kosova duhet të sigurohet se është vetvetja dhe se perspektiva evropiane është e garantuar….E vërteta është e pamohueshme, historia e dëshmon, shqiptari i ka respektuar dhe ka ditë t’i nderoj komunitetet që kanë jetuar me ne, do të dijë t’i nderoj e t’i respektoj në vazhdimësi. Mos harroni serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, qendra e vendimmarrjes për ta është Prishtina, në këtë mënyrë jeta bëhet si në jug si në veri të vendit, por ne nuk guxojmë t’i ikim përgjegjësisë, me qenë i të gjithëve sepse vetëm kështu sigurojmë interesin e këtij vendi. Ndërsa nëse qytetari e forcon aleancën më 22 tetor i jep votën kandidatëve për kryetar, asamblistëve, e ka forcuar qeverisjen vepruese, e ka mundësuar ndryshimin që ka filluar, iu ka treguar mashtruesve të këtij vendi se iu kemi lexuar dhe e dimë kush jeni”, tha Haradinaj.

Ndërsa, në anën tjetër, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, deklaroi se Kosova ka nisur të ndryshojë dhe bashkë me të do të ndryshojë edhe kryeqyteti, por edhe qytetet e tjera.

Vllahiu kërkoi nga qytetarët që t’iu bashkohen, sepse po vijnë në krye të Prishtinës dhe komunat e tjera të Kosovës për t’i ndryshuar ato, për t’i ofruar qytetarit zgjidhje për problemet që nuk i janë zgjidhur të tjerët për 18 vite.

“Po vijmë të ofrojmë ekonomik, e bashkë me të për të hapur mundësi të reja edhe për punësim, për të zgjidhur problemet e infrastrukturës, kudo, për të ofruar sigurinë për qytetin, për ta zgjidh atë që nuk e kanë zgjidhur deri sot. Për mbi të gjitha me njerëzit e Prishtinës, po vijmë të udhëheqim me qytetarin dhe në shërbim të tij. Prandaj bashkohuni me ne, sepse i kryejmë të gjitha punët që të tjerët nuk i kanë përfunduar prej 18 vjetësh e iu kanë premtuar çdo gjë. Bashkohuni me ne për të qenë pjesë e frymës së re të ndryshimeve që do të sjellë me shumë mirëqenie, me shumë zhvillim dhe me shumë dinjitet”, tha Vllahiu.

Ata nuk do t’iu japin premtime tha Vllahiu, por do t’iu japin zgjidhje për secilin problem që kanë qytetarët. Tha se do t’i zgjidhin nga 50 çështje të ndryshme të grumbulluara në secilën zonë të kryeqytetit.

“Ju kanë premtuar shumë çka tjerët, tash së fundi iu kanë dhënë edhe 100 premtime të reja për vitet e ardhshme. Ne nuk do t’iu japim më premtime qytetarëve, sepse janë zhgënjyer me premtimet e tjerëve. Ne nuk premtojmë po japim zgjidhje për çdo problem, japim zgjidhje për secilin qytet, japim zgjidhje për Prishtinën që kryeqytetin ta bëjmë me ju, ta bëjmë për ju, po edhe zgjidhim edhe çështjen e ligjit për Prishtinën ta bëjmë kryeqytet. Ne po vijmë për të udhëhequr me Prishtinën me plane, që do ta kthej në qytet e kryeqytet dhe do ta bëjë të barabartë me secilin qytet në rajon e me gjërë. Ne japim zgjidhje për Prishtinën duke zgjidhur çdo vit nga 50 çështje të grumbulluara në të gjitha zonat e saj”, theksoi Vllahiu.

Beteja për Prishtinën dhe qytetet tjera, tha Vllahiu, është betejë për kthimin e dinjitetit të qytetarit. /kp