Aktuale

Haradinaj pranon letër falënderimi nga presidentja e BE-së, Ursula von der Leyen

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka pranuar letër-falënderim nga presidentja e Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, pas urimin të tij për zgjedhjen e saj në krye të BE-së.

Haradinaj në një shkrim në rrjetin social tha se përmes kësaj letre, presidentja e zgjedhur e Bashkimit Evropian, rikonfirmon se Ballkani Perëndimor do të jetë ne fokus të Presidentes, dhe që bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen.

Ai tha se beson që Bashkimi Evropian do të reflektojë për shkaqet e devijimit të dialogut dhe do të intensifikojë përpjekjet në evitimin e temave, siç është shkëmbimi i territoreve e që shpiejnë në destabilizim e rajonit.

“Siç e kam thënë në urimin tim, kam besim të plotë që Bashkimi Evropian nën udhëheqjen e saj, do ta kthejë Kosovën në dinamikat e duhura integruese europiane. Ne mirëpresim qëndrimin e Znj. Von der Leyen, se ne kemi të përbashkët historinë dhe të ardhmen dhe ne jemi të gatshëm që së bashku t’i tejkalojmë sfidat. Qendrimi ynë tashmë është i qartë: Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe besoj që Bashkimi Evropian do të reflektojë për shkaqet e devijimit të dialogut dhe do të intensifikojë përpjekjet në evitimin e temave, siç është shkëmbimi i territoreve e që shpiejnë në destabilizim e rajonit tonë”, ka shkruar Haradinaj./FaktePlus