Aktuale

Haradinaj: Terrorizmi është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave nga sulmi terrorist në xhamitë e Zelandës së Re, ku mbetën të vdekur rreth 50 persona e u plagosën mbi 40 të tjerë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë.

“Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale.

“Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasysh nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale”, deklaroi ai.

Edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e ka dënuar ashpër sulmin terrorist që ndodhi në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e përshkroi këtë si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të errrëta” të vendit.

Në ndërkohë, zëdhënësi i Policisë ka njoftuar se për këtë rast tre burra dhe një grua janë në paraburgim derisa ka paralajmëruar se shumë të dyshuar të tjerë mund të jenë akoma të lirë./Express

the authorBurbuqe Metolli