Aktuale

Haradinaj u jep shpresa 820 punëtorëve të Ferronikelit, Lladrovcit ia ndan një dekoratë

Kryeministri Ramush Haradinaj ditën e 1 Majit ka vendosur që të dalë në komunat e Drenicës, Drenas dhe Skënderaj.

Ndalesa e parë e Haradinajt ishte paraparë që të jetë Parku i Biznesit që gjendet në magjistralen Prishtinë-Pejë, por aty nuk e gjeti askënd pasi që nuk ishte ditë pune.

Në komunën e Drenasit, Haradinaj shkoi dhe u takua me kryetarin Ramiz Lladrovci si dhe takoi disa përfaqësues të punëtorëve të Ferronikelit.

Pas këtyre takimeve, që zgjatën gati një orë, kryeministri tha se ishte një mundësi e mirë që sot kanë biseduar për projektet zhvillimore në Drenas, përfshirë edhe gjendjen buxhetore dhe mundësinë e financimit të këtyre projekteve.

“Biseduam edhe për disa tema zhvillimore që ndërlidhen edhe me pronat. Drenasi ka projekte zhvillimore, por që kërkohet që ato prona që janë nën menaxhim të AKP-së dhe të tjera, me iu kthye komunës. Po ashtu për simbolikë të ditës së sotme, ne takuam edhe sindikatat, në veçanti atë të Ferronikelit, kryetarin e saj Fehemi Nika, ku jemi informuar se si është gjendja në atë fabrikë. Konstatohet se Qeveria e Kosovës i ka borxh Ferronikelit një shumë të caktuar të parave, diku 2 milionë euro, në formë të rimbursimit të TVSH-së, me të cilën shumë ndërlidhen edhe dy paga të punëtorëve për muajt mars dhe prill. Besoj që do të gjendet një zgjidhje e duhur për këtë në bazë të ligjit. Ajo që më intereson është që Ferronikeli të vazhdojë të operojë, të funksionojë ngase janë 820 punëtorë”, ka thënë Haradinaj, raporton KP.

Haradinaj i ka ndarë dekoratën “Viti i Skënderbeut” kryetarit Ramiz Lladrovci ngase, sipas tij, është familjar i dëshmorëve.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pohoi se kanë biseduar për çështje me rëndësi për Drenasin, në veçanti për pronat dhe Ferronikelin, me ç’rast kërkoi të bëhet rimbursimi i TVSH-së për këtë fabrikë.

Haradinaj do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Skënderajt, Bekim Jasharin.

the authorE B