Aktuale

Historia e zhdukjes së 17-vjeçares nga Fieri, telefonatat e dyshimta me familjarët: Jam në Kosovë…me numër grek!

Më 23 Maj një vajzë 17-vjeçare është larguar nga banesa pa dijeninë e prindërve të saj.

Leida Redhi, nga Marinza e Fierit, ka telefonuar disa ditë më pas familjarët, prindërit dhe xhaxhain, por deklaratat e saj për vendndodhjen kanë qenë të dyshimta. Frika e familjarëve se vajza mund të jetë trafikuar për qëllime prostitucioni, është shtuar edhe më shumë për faktin, se tashmë prej rreth një jave, vajza nuk i ka telefonuar më siç i merret zakonisht.

Babai i saj, Gramoz Redhi ka bërë denoncimin në polici për zhdukjen e 17-vjeçares dhe efektivët tashmë kanë nisur hetimet, raporton Express.

Sipas denoncimit të babait, gjatë një telefonate që ka pasur me xhaxhain e saj vajza ka thënë se është penduar që është larguar, por së tashmë nuk kthehej dot më, pa treguar më shumë se çfarë e pengonte atë të vinte në shtëpi pranë prindërve. “Mund ta kenë mbajtur peng dhe tashmë nuk e lënë të lirë”, thotë babai. Më tej gjatë telefonatave të vazhdueshme që ka pasur me xhaxhain, ajo i ka thënë se është larguar në Kosovë me një djalë vlonjat që e ka njohur në rrjetin social Facebook. Por xhaxhai ka kuptuar se mbesa e tij nuk thotë të vërtetën pasi në një telefonatë tjetër i kanë thënë se është me një shqiptar të Kosovës. Në tre telefonatat që i ka bërë mbesa, xhaxhai , Petriti, thotë se Leida e ka telefonuar herë me numër privat dhe një herë me një numër me prefiks të Greqisë.

Familjarët thonë 17-vjeçarja ishte në një lidhje dhe i fejuari jetonte në Gjermani. Por kohët e fundit e reja thuajse ishte ndarë prej tij, pasi në familje nuk e përmendte fare, dhe telefonatat me të i kishte eliminuar. Nëna e saj thotë se vajza nuk e donte më të fejuarin, një fakt që ajo e ka kuptuar vetë, pasi Leida nuk i ishte shprehur.

Edhe nëna ka mundur të bisedojë me vajzën gjatë kohës që ajo i telefononte. 17-vjeçarja e ka marrë duke qarë në telefon, dhe aty nëna ka kuptuar se diçka nuk shkonte. Në pamundësi për ta pyetur më tej, pasi telefoni është mbyllur, familja e ka të mistershme se çfarë ka ndodhur me vajzën e tyre. Prej asaj dite, familjarët nuk kanë asnjë kontakt dhe asnjë të dhënë se ku mund të jetë vajza e tyre.