Rajon & Botë

Historia interesante e fshatit zviceran që do të shëndrrohet në hotel

Fshati malor i vogël Corippo, i cili gjendët në mes të luginës Verzasca në Zvicër, në shikim të parë duket si diçka që e shohim vetëm në përralla.

Mirëpo, banorët e këtij fshati të vogël po përballen me një realitet të hidhur.

Kohë më parë në këtë vend jetonin rreth 300 banorë të cilët punonin në fermat e tyre, mirëpo tani kanë mbetur vetëm 12, ku 11 prej tyre janë mbi moshën 65 vjeçare, transmeton gazetametro.net.


Sot, i vetmi aktivitet ekonomik në këtë vend është një restorant i thjeshtë.

Sidoqoftë, një fondacion vendor, Fondazione Corippo, ka ardhur me një ide e cila mund ta shpëtojë këtë fshat.

Ideja është që fshati të bëhet hotel ‘i shpërndarë’.

Kështu shtëpitë e fshatit do të kthehen në dhoma që do të mund të huazohen me qera, në mënyrë që pushesit të vizitojnë këtë vend përrallor.


‘Fshati do t’u mundësojë pushuesëve që të përjetojnë një qendrim të veçantë në këtë vend rural që ka qëndruar pothuajse i njejti që nga viti 1800’, ka thënë arkitekti dhe presidenti i këtij fondacioni, Fabio Giacomazzi.

Më në fund gjërat kanë filluar të realizohen.

Shtëpitë e para u hapën gjatë muajve të fundit të këtij viti, ndërsa thuhet se projekti do të përfundohet komplet deri në vitin 2020.

Ky plan pritet që të jetë i suksseshëm dhe të tërheqë sa më shumë turistë në fshatin tashmë të ‘braktisur’./gazetametro.net