Aktuale

Hoti: Kujt do t’i paguhen 1.2 milion euro për anëtarësim në INTERPOL?

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka gabuar me tërheqjen e aplikimit në INTERPOL, duke shtruar tutje pyetjen se kujt do t’i paguhen 1.2 milionë eurot e ndara sot nga qeveria për lobimin rreth anëtarësimit në këtë organizatë.

“Nëse mendon dikush se mund të fshihet pas vendimeve të Qeverisë për të ndarë taksa të qytetarëve nëpër botë pa asnjë lloj transparence e ka gabim. Taksat e qytetarëve nuk mund të shpërdoren kështu. Llogari do të kërkohet nga secili, herë do kur”, thuhet në një pjesë të ragimit të Hotit.

Gjeni pa ndërhyrje reagimin e Hotit:

Në fund të vitit të kaluar, Qeveria Haradinaj bëri një gabim trashanik duke e tërhequr aplikimin e Kosovës në Interpol. Çdo gjë ka qenë e aranzhuar që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit, bashkë me disa vende.

Ndërkaq, tash Qeveria ndan 1.2 milionë euro për lobim për anëtarësim në Interpol, sikur kjo të ishte organizatë biznesore private. Janë qeveritë e vendeve anëtare të Interpolit ato që votojnë për pranim të një vendi të ri në këtë organizatë. Prandaj, kujt do t’i paguhen këto mjete?

Nëse mendon dikush se mund të fshihet pas vendimeve të Qeverisë për të ndarë taksa të qytetarëve nëpër botë pa asnjë lloj transparence e ka gabim. Taksat e qytetarëve nuk mund të shpërdoren kështu. Llogari do të kërkohet nga secili, herë do kur.

the authorBurbuqe Metolli