Aktuale

Hoti në Shkabaj: Falë investimeve tona dhe fabrikës Prishtina ka 24 orë ujë

“Lufta” në mes të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe LDK’së se kush e solli ujin në Prishtinë, Ministria e Financave përmes një komunikate, tregon se falë investimeve të bëra në bashkëpunim me Fabrikën për përpunimin e ujit, sot i gjithë regjioni i Prishtinës furnizohet me ujë 24 orë

Komunikata e dërguar nga Ministria e Financave tregon se ministri, Avdullah Hoti bashkë me kryeshefin ekzekutiv të kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, kanë vizituar sot fabrikën e përpunimit të ujit në fshatin Shkabaj, ku u njoftua nga afër për punën dhe funksionimin e kësaj fabrike.

Ministri në Shkabaj përpos që bëri me dije se falë investimeve të Ministrisë që ai drejton dhe Fabrikës, Prishtina ka ujë 24 orë, ai tha se Komuna e Prishtinës duhet të kryejë obligimet e saja financiare karshi kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” për projektin e fabrikës së përpunimit të ujit në Shkabaj.

Karshi kësaj deklarate të ministrit Hoti, edhe kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” Ilir Abdullahu ka thënë se fabrika e përpunimit të ujit në Shkabaj e ka bërë të mundur furnizimin me ujë përgjatë 24 orëve.

Në vizitën e ministrit, Avdullah Hoti në Shkabaj, ai ka bërë të ditur është kënaqësi të shihet që pas pesë vitesh aktivitet i kompanisë dhe i të gjitha institucioneve që janë të lidhura me këtë kompani është përfunduar ky projekt, “gjithashtu është kënaqësi me e pa që 5 milionë euro taksa të qytetarëve të Kosovës ku janë investuar bashkë me donacionet edhe nga Komisioni Evropian edhe nga Banka Gjermane për Zhvillim”, ka thënë ministri.

“Ndjehem mirë që kompania sot është e qëndrueshme dhe ka filluar të kthej kredinë që e ka marrë nga Banka Gjermane për Zhvillim për ndërtimin e kësaj fabrike. I përgëzoj për të gjitha aktivitetet që kanë bërë në përmirësimin e furnizimit me ujë. Sot i gjithë regjioni i Prishtinës furnizohet 24 orë me ujë. Përqindja e inkasimit dhe gatishmëria e qytetarëve për ti kryer obligimet është shumë e madhe dhe unë besoj që më nuk ka asnjë arsye që inkasimi të mos jetë në nivele të kënaqshme kështu si ka filluar me qenë këto muaj të fundit”, shtoi Ministri Hoti.

E kryeshefi i kësaj kompania, Ilir Abdullahu ka thënë se nga kjo fabrikë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka arritur që të kanë një furnizim me ujë për 24 orë. Ai i ka falënderuar donatorët , Qeverinë e Kosovës, komunën e Prishtinës duke thënë se “të gjitha bashkërisht kanë bërë që të kemi furnizimin me ujë për 24 orë, por falënderimi kryesor shkon për konsumatorët”. /GazetaExpress/