Aktuale

Hoxha: Forca e ndryshimit fillon me PDK-në

Gruaja Demokratike në Gjakovë organizoi manifestimin solemn me rastin e prezantimit të kandidateve femra, të cilat garojnë në listën për Asamblenë Komunale në Gjakovë nga Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se lista e kandidatëve të kësaj partie për asamblenë komunale në Gjakovë është më e mira prej të gjitha partive tjera dhe se beson që më 22 tetor PDK do të dalë partia fituese në Gjakovë.

“Unë si kryetar i Degës ndjehem shumë mirë që kam pasur një kryesi të mirë, një strukturë të mirë, ka një strukturë të mirë Gruaja Demokratike, kemi një kryetare të mirë të Gruas Demokratike, e cila është nënkryetare e gruas në nivelin qendror dhe kemi arritur që PDK-në bashkë me gjithë juve, me anëtarë dhe simpatizantë ta profilizojmë dhe ta bëjmë që në zgjedhjet e 22 tetorit PDK do të jetë forca më e madhe politike edhe në komunën e Gjakovës”, ka thënë Beqa.

Edhe kandidati për kryetar i komunës së Gjakovës nga radhët e PDK-së, Ramadan Hoti ka shprehur besimin e kjo parti do të marrë besimin e qytetarëve dhe do të dalë forcë fituese në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Për mua kjo ditë është emocionuese ndaj e kam të vështirë të gjejë fjalët e duhura për të shprehur mirënjohjen, respektin dhe nderimin për të gjithë ju. 22 tetori do të jetë fitorja e PDK-së. Kjo ditë është një shans për të gjithë ne, në veçanti për qytetin dhe komunën e Gjakovës, sepse ju Gruaja Demokratike jeni forca politike e PDK-së që kërkon të marrë besimin në shërbim të pushtetit dhe qytetarëve për një qeverisje në drejtim të ri, që qytetarin e ka të parin dhe vë interesin e tij mbi çdo interes tjetër. Fitorja e PDK-së është ngadhënjim për Gjakovën dhe shans për të gjithë qytetarët e saj, për vajzat tona, nënat tona, sepse PDK është edhe forca politike e Gruas Demokratike, ashtu siç është gruaja shtyllë e çdo familjeje, edhe PDK është themeli i institucioneve të Kosovës, është vetë stabiliteti dhe e ardhmja evropiane e Gjakovës”, tha ai.

Ai tha se qytetarët e Gjakovës ndryshimet në komunë do t’i hetojnë në fillim të muajve të parë të qeverisjes, pasi që PDK do të jetë çdoherë pranë qytetarit dhe do t’ua kthejë dinjitetin që ata meritojnë.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se PDK jo rastësisht garon në zgjedhjet lokale me moton “Forca e ndryshimit”, pasi që u ka prirë të gjitha proceseve deri më sot dhe ka ndryshuar Kosovën për të mirë, duke e vendosur në hartën e botës si një ndër shtetet, e cila ka partneritet me të gjitha shtetet më të fuqishme në botë.

“Më 22 tetor të gjithë ne këtu së bashku do të punojmë që PDK të fitojë, por fitorja varet nga ne. Ne sot besojmë që me të vërtetë forcë e ndryshimit jemi ne. Gjakova duhet të vendosë se atë votojë një kryetar i cili bashkëjeton çdo ditë, çdo natë me qytetarin, apo një kryetar i cili vetëm në Facebook di të postojë dhe pastaj nuk gjendet kur i nevojitet më së shumti qytetarit. Duhet të votoni për kryetarin Ramadan Hotin, sepse forca e ndryshimit fillon me PDK-në”, ka thënë Hoxha.

Arbresha Kuçi, tha se Gjakova për herë të parë garon me 13 femra në garën komunale.

“Gjakova kandidon për herë të parë me 13 femra në listë për garat komunale. Gjithë këtë hapësirë në Degën e Gjakovës e ka dhënë Hajdar Beqa bashkë me kryesinë e degës që do të thotë se ne si degë e kemi tejkaluar edhe limitin ligjor që lejohet sipas kuotës gjinore që do të thotë mbi 30 për qind janë në garë. Ju kisha lutur që secila në listë të keni njerëz të preferuar, por votoni femrat, sepse vetëm atëherë shteti ec përpara. Kjo është një deklaratë e shkëputur nga deklarata e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, se shteti ec përpara vetëm atëherë kur gruaja merr përgjegjësi”, ka thënë Kuçi. /KosovaPress/