Aktuale

Hoxha kërkon të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka kërkuar nga ministrat e brendshëm të vendeve të Evropës Juglindore në Brdo të Sllovenisë, që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol, duke demonstruar vullnetin për një bashkëpunim të përbashkët kundër dukurive antiligjore.

Në takimin ministror të procesit të Brdos u diskutua çështja e sigurisë së brendshme në vendet e Evropës juglindore, posaçërisht ajo e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vënë fokusin në forcimin e mekanizmave ekzistues të sigurisë përmes bashkëpunimit reciprok.

Zëvendësministri Hoxha tha se Kosova konceptin e sigurisë nuk e sheh të ndarë nga bashkëpunimi rajonal dhe në këtë kontekst shpalosi të arriturat e Kosovës në luftimin e terrorizmit, radikalizmit të dhunshëm, krimit të organizuar, duke i dhënë rëndësi të veçantë bashkëpunimit me vendet fqinje dhe më gjerë.

Në këtë takim morën pjesë ministrat e brendshëm të vendeve të Evropës Juglindore, përfaqësuesit e Komisionit Evropian, agjencitë dhe organizatat ndërkombëtare, Europol, Frontex, DCAF etj.