Aktuale

Hoxhaj i reagon Gjuriqit, Vuçiq është përgjegjës për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Përgjegjësi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Kjo është kundërpërgjigja e zëvendëskryeministrit, Evner Hoxhaj, për deklarimet e lëshuara nga drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’ në Serbi,

Marko Gjuriq, i cili tha se prapa vrasjes së Ivanoviqit qëndrojnë Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Hoxhaj thotë se në Beograd është strumbullari i atyre që qëndrojnë prapa vrasjes së politikanit serb, pasi vet shteti serb po e strehon dhe mbron një nga të dyshuarit kryesor për aktin, Milan Radojiçiqin.

“Serbia është përgjegjëse për vrasjen e politikanit të Kosovës, Oliver Ivanovic. Urdhërdhënësit politikë në Beograd të të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Milan Radojiçiç, jo vetëm që po e mbrojnë atë duke e strehuar dhe mbështetur, por edhe po e pengojnë zbardhjen e plotë të këtij rasti kriminal përmes shpifjeve dhe propagandës”, ka thënë Hoxhaj për Express.

Sipas zyrtarit të lartë të PDK-së, Vuçiq bashkë me vartësit e tij që i kanë shërbyer regjimit famëkeq të Sllobodan Millosheviqit, janë duke frikësuar serbët e Kosovës, që të mos bashkëpunojnë me drejtësinë në Kosovë për të zbardhur autorët e këtij rasti.

“Deklaratat e presidentit Vuçiç dhe të vartësve të tij, të cilët i kanë shërbyer së bashku Millosheviçit, janë shantazh dhe përpjekje për të mbjellë frikë tek serbët e Kosovës, që të mos bashkëpunojnë me autoritetet e sigurisë për zbardhjen e këtij rasti”, ka shtuar ai.

Për zëvendëskryeministrin Hoxhaj, adresa e autorëve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit është në Beograd dhe përgjegjës për të është kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq.

“Kosova mbetet e përkushtuar thellësisht për ta zgjidhur këtë rast sa më shpejtë, meqë adresa e këtij krimi është në Beograd dhe përgjegjës është vetë presidenti Vuçiç”, ka përfunduar Enver Hoxhaj për Gazetën Express.

Autoritetet e sigurisë në Beograd, kohë më parë kanë dërguar një raport me dëshmitë e të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanovoqit.

Megjithatë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ende nuk ka ndonjë zhvillim drejt zbardhjes së vrasjes.

the authorBurbuqe Metolli