Aktuale

Hoxhaj raporton në komision pa mediat, kundërshton opozita

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, për punët që po bënë ministria që ai udhëheq, sa i përket zbatimit të MSA-së.

Takimi ishte i mbyllur për media, gjë që bëri që përfaqësuesja e VV-së në këtë komision Donika Kadaj Bujupi, ta lëshojë takimin në shenjë proteste.Bujupi tha se mbyllja e komisionit për media, është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe se me këtë pushteti nuk po do që qytetarët të informohen për dështimet e tyre.

Ndërkaq, Xhavit Haliti, pati vetëm lëvdata për raportimin e ministrit Hoxhaj, para këtij komisioni. Ai tha se ky lloj informimi është i domosdoshëm dhe do ti shërbejë më mirë organizimit institucional.

E pas raportimit dy orësh ministri Enver Hoxhaj, tha se në takim u diskutua dhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ndërsa tha se sa më shpejtë që të ratifikohet ai, aq më mirë për Kosovën, pasi që s’do të ketë liberalizim të vizave, pa përmbushjen e këtij kushti.

Hoxhaj tha se kanë biseduar dhe për gjendjen në rajon, i cili sipas tij ka dhe më tutje tri sfida të mëdha historike, siç është normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, që duhet të përfundon me njohje të ndërsjellë, çështja e emrit të Maqedonisë, që është një temë mes Shkupit dhe Athinës dhe gjendja e brendshme institucionale në Bosnje, meqë ky vend është duke lëvizur drejtë një dështimi si shtet dhe për Kosovën, paraqet një shqetësim të madh.

Hoxhaj foli dhe për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke pohuar se komuniteti shqiptar atje është prej komuniteteve më të diskriminuara në rajon.

Ndërsa i pyetur se si ka shkuar bashkëpunimi me OSCE-në për organizimin e zgjedhjeve serbe në territorit të Kosovës, pasi që u tha se për shkaqe sigurie numërimi i votave duhet të bëhet në Serbi, Hoxhaj tha se pret një sqarim nga OSCE-ja, për deklaratat e tilla që janë bërë.

Ndryshe ministri Hoxhaj njoftoi se në javën e tretë të prillit, do të vijnë deputet nga parlamenti evropian në Kosovë, e cila monitoron zbatimin e MSA-së.

Ndërsa tha se i informoi deputetët dhe për atë se në cilat fusha mund të ndodh harmonizimi i politikës së jashtme mes Kosovës dhe BE-së, që në të ardhmen të shohin mundësinë që pjesëtarë nga policia apo FSK-ja, të marrin pjesë në misione të ndryshme paqësore të BE-së, në kriza të ndryshme humanitare, sikurse e bëjnë dhe vende tjera të rajonit. /KosovaPress/

the authorE B