Aktuale

Hoxhaj takon O’Connell, thekson nevojën për shpejtësi dhe dinamikë të re

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim zyrtar ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ku diskutuan për punët dhe angazhimet që e presin qeverinë e re.

Hoxhaj shprehu gatishmërinë e qeverisë për thellim të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, ndërkohë që e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit britanik për Kosovën.

Hoxhaj ka folur për angazhimet e kësaj qeverie duke thënë se vendin e presin sfida të mëdha pasi që kemi humbur shumë kohë në tre muajt e fundit. Ai ka theksuar se vendi ka nevojë për shpejtësi dhe dinamikë të re.

“E prita ambasadorin O’Connell, i cili është mbështetës i madh i Kosovës, sikurse edhe vendi i tij. Arsyeja e vizitës ishte marrja e detyrës së re, dhe pritjet që ka kjo qeveri meqë ne kemi humbur shumë kohë këta tre muajt e fundit, vendin e presin sfida të mëdha dhe meqë ne duhet ta kemi një shpejtësi dhe një dinamikë të re”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkaq, O’Connell ka theksuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për Kosovën, duke thënë se është interes i përbashkët që Kosova të ketë prosperitet, stabilitet dhe siguri. Ai ka thënë se është e rëndësishme që punët konkrete të nisin menjëherë.

“Vizitova mikun tim, tash zëvendëskryeministër Hoxhaj, në fillim të mandatit të qeverisë. Kam theksuar prapë që Kosova dhe Britania kanë interesa të përbashkëta, që dëshirojmë të shohim një Kosovë stabile, prosperuese dhe të sigurt. Mendoj që është shumë me rëndësi që punët konkrete të fillojnë. Në kemi interes sidomos në fushën e ekonomisë dhe të sundimit të ligjit, dhe i kam ofruar qeverisë së Kosovës mbështetjen e qeverisë britanike”, ka deklaruar O’Connell.