Aktuale

Hoxhaj: Do të marrim pjesë nesër në takim konsultativ

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nesër do të marrin pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, por nuk kanë vendosur ende nëse marrin pjesë në seancën e së enjtes.

Këtë e ka bërë të ditur sot nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

Hoxhaj: Do të marrim pjesë në takim konsultativ

“Ne si kryesi e PDK-së, kemi pasur një mbledhje, ku kemi biseduar për gjendjen politike në vend dhe natyrisht që prioritet i dorës së parë neve është konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së ardhshme. Qëndrimi jonë është ai që e kemi prezantuar javën e kaluar, që ne jemi të interesuar pas propozimit që e ka bërë kryetari i PDK-së, Zoti Veseli ta kemi, mbështetjen nga subjektet të tjera politike . Që ta gjejmë një zgjidhje, e cila reflekton konsensusin dhe rrugën që të ecim përpara. Kryesuesi ka ftuar që nesër të kemi takimin konsultative të partitive politike . Ne si subjekte politik do të marrim pjesë në këtë takim dhe besojmë që do ta gjejmë një zgjidhje”, tha Hoxhaj.

Ai ka thënë vendimin se për pjesëmarrje e mundshme në seancën e së enjtes, do ta bëjnë publik nesër.

Hoxhaj: Vendimin për pjesëmarrje në seancë e bëjmë publik nesër

“Unë e kam thënë edhe në takimin e parë që e kemi pasur me subjektet të tjera politike, që kryesuesi nuk mund të lëvizë në dy dimensione paralele të funksionimit politik. Ai ka marrë një hap që ne e kemi përshëndet që t’i ftojë partitë politike . Dhe vendimi që e kemi marrë atë ditë ka qenë vendim që të mërkurën në orën 10:00 ne të takohemi si subjekte politike dhe ta gjejmë një zgjidhje politike. Ne nuk i japim përparësi shpejtësisë në raport me koordinimin politik, si PDK së bashku me partneret të tjerë të koalicionit politik ne do të jemi nesër të pranishëm në takim. Se çfarë vendimin do të marrim për të enjten është vendim që do ta bëjmë publikë nesër”, tha Hoxhaj.

Ai ka shtuar se rregullorja e Kuvendit e parasheh në mënyrë të mirëfilltë se si votohet kryetari i Kuvendit dhe kjo e drejtë i takon subjektit, i cili i ka fituar zgjedhjet e po ashtu ai e ka cituar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014-të. Ndërsa për formimin e Qeverisë ka thënë se është pjesë tjetër e veçantë se si krijohet qeveria. Sipas tij duhet të gjendet rruga se si të ecet përpara, e që sipas tij kjo është përmes negocimit dhe një dialogu politik./