Aktuale

Hyseni: Mos të bëhet fushatë me vrasjet politike

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, është pyetur gjerë e gjatë sot rreth liberalizimit të vizave, vrasjet politike, furnizimin me targa të automjeteve por edhe për fatin e pensionimit të Policisë.

Ishte deputeti nga PDK-ja Xhavit Haliti e ka  hapur çështjen  e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.

Vrasjet politike janë kthyer sërish në temë diskutimi në Kosovë e sidomos pas katër letrave publike që presidenti i Kosovës i ka dërguar kryeprokurorit Aleksandër Lumezi për të zbardhur disa nga to.

Ndër të tjera është kërkuar edhe ndriçimi i atentatit kundër ish presidentit Ibrahim Rugova në marsin e vitit 2005.

 

“…nuk e di sa janë zbulua sa nuk janë zbulua sa është marrë Ministria e Punëve të Brendshme, njësitet e specializuara dhe është mirë që të merremi me këtë çështje dhe vërtetë ata që ose ato që zbulohen të dënohen njerëzit që i kanë bërë dhe të pushojë kjo”, ishte pyetja e deputetit nga PDK-ja Xhavit Haliti.

Duke u përgjigjur në këtë pyetje të Halitit, ministri Hyseni tha se askush më shumë se ai nuk është i interesuar që të zbardhen këto vrasje e sidomos atentati me bombë ndaj ish-presidentit Rugova.

Këtë deklaratë Hyseni  e arsyetoi me atë se kishte qenë në veturë me presidentin kur ka ndodhur sulmi. Por ministri tregoi një detaj të cilën asnjëherë më parë nuk e ka treguar.

Ai tha se dikush e kishte thirrur nga burgu i Dubravës duke i kërkuar falje se kishte dashur ta vrasë.

 

“Mua nuk më kujtohet se dikush ka dasht me më vra por kam qëlluar në veturën me presidentin Rugova kur është hedhur bomba në të. Pse  e mora këtë shembull, vetëm për të reaguar se jam jetikisht me ditë çka ka ndodhë kush e  ka ba dhe pse  e ka ba.  Këto raste të vrasjeve  politike ose tentim vrasjet politike duhet të zgjidhen  patjetër, por ne e dimë se si është vendos sistemi i drejtësisë që nga viti 1999….Ka pas zgjidhje të përkohshme kalim lëndësh nga kjo dorë në tjetrën por që pajtohem se është urgjente  që ato të zbardhen, por po ashtu pajtohem që ato nuk guxojmë t’i kthejmë në fushatë…është gabim dhe do të ishte e rëndë për këtë shoqëri.  Nëse dikush është i interesuar për të zbardhë atentatin ndaj presidentit Rugova  logjikisht do të isha unë më i interesuar se gjithkush tjetër”, tha Hyseni.

Duke folur për liberalizimin e vizave Hyseni tha se Komisioni Evropian në raportin final ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, mirëpo ka shtuar se rekomandim ka qenë të forcohet lufta kundër korrupsionit.

 

“Atë ditë edhe është shpallë raporti i 4 dhe final i KE-së i cili rekomandon heqjen e vizave për Kosovën. Raporti po ashtu thekson se para se propozimi i KE-së të miratohet nga KE dhe Këshilli i BE-së dhe ai këshill është në nivel të ministrave të brendshëm, Kosova duhet të ratifikoj marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dhe të të forcojë po përpiqem të përdor gjuhën e KE-së, të forcoj historikun e lëndëve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai.

Ndaj kësaj deklarate të Hysenit ka reaguar deputetja e AAK-së Time Kadriaj, sipas të cilës nuk ka qenë Demarkacioni kusht për liberalizim të vizave,  por krimi dhe korrupsioni.

 

“Kusht kryesor nuk ka qenë demarkacioni por ka qenë luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe nuk po pajtohem me atë që e the ‘të forcoj historikun e lëndëve që janë në  luftimin e krimit dhe korrupsionit; por në fakt ajo çka na është thënë është që kriter dhe kusht kryesor është luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe ajo është jo veç forcimi i historikut por me veprime konkrete dhe Demarkacioni sa i përket asnjë prej zyrtarëve të lartë nuk ka thënë që ata kërkojnë të votohet një lloj demarkacioni të tillë sepse ka thënë që është çështja e brendshme e Kosovës”, tha Kadriaj.

Ministri Hyseni nga anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane është pyetur edhe se nëse vendet e eurozonës do të kenë frikë se pas liberalizimit të vizave do të ketë migrim të madh   të qytetarëve të Kosovës.

Në lidhje me këtë Hyseni tha se frika ekziston por nuk beson se vendimi do të bazohet në këtë frikë.

Deputeti nga LDK Arben Gashi e ka pyetur ministrin për kufizimin e lëvzijes së lirë në mungesë të targave për automjete.

Hyseni tha se të gjitha veturat brenda 30 ditësh do të pajisen me targa.

Deputetja e AAk-së është interesuar që të dijë nga ministri se deri kur ka shkuar Ligji për pensionim të parakohshëm të policisë.

 

“Ligji për pensionim të parakohshëm është përfunduar në MPB dhe është në Ministrinë e Financave dhe në  FMN. Që ti ikim çfarëdo politizimi në këtë far ambientin tonë ka tendenca që gjithçka të politizohet edhe ajo që nuk bënë të politizohet hiq e sidomos pensionimi i parakohshëm i policëve…. unë po shpresoj shumë që ai vjen brenda 10 ditësh në Kuvend nëse arrijmë dakordancë me FMN po shpresoj që kalon deri në fund të vitit gjithsesi sepse ne e kemi planifikuar me buxhet të vitit të ardhshëm fillimin  e zbatimit të Ligjit. Më 1 janar 2017 do të pensionohen ata që e arrijnë moshën 60 vjet ndërkaq më 1 janar 2018 do të pensionohen grupi tjetër nga mosha 55 vjeçare”, ka deklaruar Hyseni.

Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane janë diskutuar edhe disa tema tjera si trafikimi me narkotikë, me qenie njerëzore etj./kp