Aktuale

Idenë e Thaçit për korrigjim të kufirit analistët e vlerësojnë të rrezikshme e në interes të Serbisë

Korrigjimi i kufijve është tema më e përfolur kohëve të fundit. Është presidenti Hashim Thaçi ai që e ka iniciuar, duke thënë se kjo nuk do të thotë ndarje e Kosovës.

Sipas presidentit korrigjimi i kufijve do të thotë bashkim i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe jo autonomi për serbët në Kosovë.

Këtë ide të Thaçit deri më tani nuk e ka përkrahur askush, madje edhe nga personalitete të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare. E disa nga analistët këtë ide e quajnë të rrezikshme.

Analisti Imer Mushkolaj thotë për KosovaPress se e gjithë kjo është bërë për të krijuar përshtypjen se vendi po përballet me një situatë jo të qetë, pasi që sipas tij, kështu i shkon për shtati presidentit Hashim Thaçi.

“Unë besoj se me deklaratat e fundit të presidentit Thaçi dhe të presidentit serb Vuçiq në anën tjetër është krijuar njëfarë përshtypje se situata nuk është e qetë. Kjo i shërben më së shumti z. Thaçi për shkak se ai pa përkrahjen e askujt po e nxjerrë në debat publik propozimin për korrigjim të kufijve, propozimin për shkëmbim të territoreve dhe kjo është një ide shumë shumë e rrezikshme. Pra situata politike është e qetë përkundër përpjekjeve për të krijuar përshtypjen se nuk është kështu. Në fakt Thaçi me deklaratat dhe idetë e tij ka mbetur i izoluar. Ne po e shohim se askush nuk po e përkrahë në këto propozime, jo se jo partitë opozitare, por edhe partitë në pushtet kanë dal kundër idesë së tij për shkëmbim të territoreve”, thotë Mushkolaj.

Sipas tij, Thaçi në këtë mënyrë po tenton të krijojë një përshtypje se ai është personi kyç i këtij procesi dhe se ai duhet të jetë personi, i cili vendosë për të ardhmen e vendit, pavarësisht se nuk e ka mbështetjen e Kuvendit të Kosovës si organi më i lartë legjislativ, i cili duhet të jap vendimin nëse ai duhet të jetë pjesë e këtij procesi ose jo.

Mushkolaj thotë se ide të tilla nuk bën të hidhen në publik pasi që marrëveshja e Kosovës me Serbinë edhe ashtu është një çështje e ndjeshme dhe e papërfunduar.

Në anën tjetër, Mushkolaj thekson se Kosova ka përmbushur të gjitha kompromiset e veta sa i përket të drejtave të serbëve, andaj fton që të mos shkohet përtej kompromisit të fundit e që sipas tij, është Pakoja e Ahtisarit.

“Mos të harrojmë që Kosova dhe Serbia nuk e kanë të përfunduar demarkacionin e kufirit, por ky proces nuk mund të ndodh tash kur Serbia ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Do të thotë së pari duhet që Serbia ta njoh Kosovën si shtet i pavarur, pastaj shkojmë tek demarkimi i kufirit. Në anën tjetër Kosova i ka bërë kompromiset e veta sa i përket të drejtave të serbëve dhe sa i përket asaj që mund ta ofrojë për serbët me pakon e Ahtisarit. Pra Pako e Ahtisarit ka qenë kompromisi i fundit që Kosova e ka bërë dhe nuk duhet të shkohet përtej këtij kompromisi… Çdo ide tjetër që çon përtej pakos së Ahtisarit, në fakt e defunksionalizon shtetin e Kosovës dhe nuk duhet të ndodhë”, tha ai.

Kjo ide e presidentit Thaci nuk është e rastësishme. Kështu thotë Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GSPJ).

Sipas tij, negocimi i premisave të tilla kushtetuese sikurse është integriteti territorial është një gabim i pakthyeshëm, i pariparueshëm dhe i rrezikshëm për shtetësinë e Kosovës.

“E kontestojmë agjendën e kësaj ideje dhe si e tillë konsiderojmë që kjo ide i shkon për shtati Serbisë dhe i shërben vetëm interesave të saja. Prandaj në bazë të kësaj ne vërejmë se me çfarë intensiteti dhe me çfarë ngutie Serbia po tenton që të përfundojë dialogun. Dhe përmes promovimit të ideve të tilla ka për qëllim integrimin e saj në BE me të përfunduar kapitullin e 35. Dhe si përfundim të fundit ka edhe ndaljen e zhvillimit normal të shtetësisë të Kosovës duke e kontestuar edhe më hapur shtetësinë e saj”, tha Kryeziu.

Ndërsa sa i përket propozimit të presidentit Thaçi për ndjekjen e modelit Holandë-Belgjikë për realizimin e “ndryshim-korrigjimit të territorit”, Kryeziu thotë se nuk i shkon për shtati interesave të Kosovës, pasi që ka të ngjarë të bëhet mbi baza etnike.

“Ne konsiderojmë që ky krahasim është absolutisht jo valid duke e marrë për bazë marrëdhënien diplomatike të shkëlqyeshme që e kanë këto dy vende, Belgjika dhe Holanda, dhe duke marrë parasysh bazën mbi të cilën është bërë kjo marrëveshje. Është bërë kryekëput mbi bazën praktike të shkëmbimeve të territoreve në mes të Holandës dhe Belgjikës. Kurse në rastin tonë, frikësohem se është duke u bërë plotësisht mbi bazën e vijave etnike. Prandaj si përfundim ne konsiderojmë se kjo ide është e rrezikshme dhe aspak nuk i shkon përshtati interesave të Kosovës”, tha ai për KosovaPress.

Në lidhje me këtë ide ka folur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari. Ai thotë se nuk ka vend për panik pasi që sipas tij vet lufta e UÇK-së nuk e lejon ndarjen e vendit.

Ai në një prononcim përmes telefonit ka thënë për KosovaPress se deklarata e presidentit do të ishte në rregull pa shkëmbim të territoreve.

“Mendoj se termi ‘ndryshim i kufijve’ duhet të hiqet. Mirëpo korrigjim të kufijve duhet pasur dhe mendoj se kjo deklaratë është e drejt dhe duhet përkrahur. Politika që zhvillohet në Prishtinë, Tiranë dhe gjetiu duhet të jetë kombëtare dhe natyrisht drejt procesit që e ka hapur UÇK, bashkimin e trojeve shqiptare, i cili do të ndodhë një ditë, deshën apo nuk deshën”, u shpreh Jashari.

Ndryshe, Thaçi vazhdimisht ka folur për procesin e dialogut, duke ftuar të gjitha institucionet dhe partitë politike që të përfshihen në këtë proces. Gjithashtu, ai ka paralajmëruar që në fund të procesit, qytetarët përmes referendumit të vendosin për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.