Aktuale

IKD: Transferimi i Sylë Hoxhës në Prokurorinë Speciale është i jashtëligjshëm

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj vendimit të kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, për transferimin e Sylë Hoxhës në Prokuorinë Speciale të Kosovës.

Sipas këtij instituti, këto vendime janë të kundërligjshme me rregulloret e miratuara nga vet KPK-ja.

“Në takimin e KPK-së, në pikën lidhur me transferimin e Prokurorit Hoxha, anëtarë të KPK-së kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me ligjshmërinë e transferimit të prokurorëve përfshirë “transferimin e prokurorit Hoxha” pa kaluar përmes institutit të konkursit. Vendimet e Kryeprokurorit të Shtetit dhe KPK bien në kundërshtim me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Rregullorja për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit sipas IKD-së, ka përcaktuar procedurat dhe kriteret e transferimit dhe avancimit të prokurorëve të shtetit. Zbatimi i kësaj rregullore do të ndalonte praktikën e keqe të instaluar nga KPK që nga viti 2011, duke transferuar dhe avancuar prokurorë pa proces të drejtë, paanshëm dhe të bazuar në meritë dhe duke anashkaluar institutin e konkursit.

“Praktika e shkeljes së ligjit nga Kryeprokurori i Shtetit dhe KPK është kthyer në standard të qeverisjes së sistemit prokurorial. Bazuar në këtë standard, ligji interpretohet dhe zbatohet për interesa të ngushta të personave të caktuar brenda sistemit prokurorial”, thuhet tutje në reagim.

IKD vlerëson nevojën e KPK-së për plotësimin e pozitave të lejuara për prokurorë në PSRK, për të cilën ka avokuar dhe avokon në baza ditore në të gjitha aktivitetet e saj publike. IKD vazhdimisht ka kërkuar nga KPK që të plotësoj pozitat e lira për prokurorë në PSRK, ku nga 18 pozita të lejuara për prokurorë në këtë prokurori, janë të plotësuara vetëm 9. Megjithatë, IKD pret nga KPK që gjatë procesit të plotësimit të këtyre pozitave, të zbaton strikt Ligjin për KPK-në, Ligjin për Prokurorin e Shtetit, rregulloret dhe aktet e brendshme të miratuara nga vet Këshilli.

“Para z. Sylë Hoxha në mënyrë të njëjtë ishte vepruar me prokurorin z. Abdurrahim Islami, i cili në kundërshtim me ligjin dhe Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve ishte transferuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në PSRK, për të cilën shkelje IKD ka reaguar publikisht më 12 dhjetor 2016”, thekson IKD-ja./KosovaPress/