ShowBiz

Ilir Tafa, pjesë e serialit “Sulltani, shekulli madhështor” (Foto)

Edhe pse viti 2016 ishte viti i sukseseve të njëpasnjëshme për aktorin e njohur Ilir Tafa, duket se fundi i këtij viti ka sjellur suksesin më të madh për të. Krahas angazhimeve të deritashme jashtë Kosovës, si në Bosnjë, Kroaci, Slloveni, Hungari, etj., me gjasë aktorin kosovar së shpejti do ta shohim edhe në kinematografinë turke.

Këto ditë, aktori Ilir Tafa ka marrë një ofertë të jashtëzakonshme nga produksioni i serialit “Sulltani, Shekulli madhështor”, për të qenë pjesë e këtij seriali. Mësohet se aktori Ilir Tafa, tashmë ka qenë edhe në provat e kostumeve për realizimin e këtij roli, ndërkohë që intensivisht ka filluar edhe me mësimin e gjuhës turke.

Xhirimet për episodet e reja të këtij seriali do të fillojnë në fillim të vitit tjetër.

“Sulltani, shekulli madhështor” (Muhteşem Yüzyıl ), është seri televizive e zhanrit historik e cila bazohet në jetën e Sulltani Sylejmanit të Madhërishëm, i cili ishte sulltani me pushtetin më të gjatë në Perandorinë Otomane.

Seriali “Muhteşem Yüzyıl”, është prodhim i Tims Prudction nga Turqia, me një buxhet rekord të lartë të produksionit, i cili filloi të shfaqet nga viti 2011. Ky serial ka arritur majat e shikueshmërisë duke u shfaqur në 46 shtete dhe duke arritur një shifër prej 200 milion shikues në mbarë botën.