Arsim & Kulturë

Imri Ahmeti: Gjatë këtij viti do të ketë zgjedhje në Kosovë

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB, në kuadër të ciklit të debateve për “Qeverisjen lokale”, tha se këtë vit do të ketë zgjedhje në Kosovë.

“Po ballafaqohemi me shumë probleme, me një situatë jo të lehtë edhe politike për shkak të një agjende që po e shohim çdo ditë, për shkak të skandaleve, veprimet duken tepër populliste, shumë pak të mbështetura mbi baza ligjore. Merren vendime, tërheqen vendime, veprime të ndryshme që janë kah i bëjnë dëm shoqërisë dhe këtij shteti, megjithatë unë mendoj se zgjedhjet do të jenë një mundësi e mirë e një rikonfigurimi të ri politik në Kosovë që do të merrte përgjegjësi për të zhvillu më tutje agjendat shtetërore”, u shpreh ai.

Ai tha se kështu siç është tani situata në Kosovë, proceset nuk janë duke ecur përpara si dhe vendit po i shkaktohen telashe me ndërkombëtaret.

“Kështu siç jemi, nuk jemi kah ecim përpara, jemi kah shkaktojmë telashe edhe me bashkësinë ndërkombëtare edhe me situatën gjeopolitike në rajon, kështu që mendoj se gradualisht po vijmë në një situatë që do të na shpie drejt zgjedhjeve në vend”, tha kryetari Ahmeti.

Kryetari i Lipjanit foli edhe për taksat, ku tha se komuna e Lipjanit është një ndër komunat e rralla në Kosovë që e ka hequr krejt taksën komunale.

“Nuk ka fare taksë si për ata që investojnë si për ata që funksionojnë në territor të Lipjanit. Ne nuk i marrim asnjë lloj takse komunale asnjë biznesi në territorin e komunës së Lipjanit, përveç taksës së tatimit në pronë që është taksë e nivelit shtetëror, por që inkasohet nga nivelet komunale dhe hyn si mjet burimor nga të hyrat vetanake të komunave”, theksoi Ahmeti.
Ai tha se këtë vendim e kanë marrë me qëllim që të krijojnë mundësi që bizneset të gjenerojnë vende të lira të punës, të rritin kapacitetin e tyre në mënyrë që të ndikojnë në zbutjen e papunësisë.

Në këtë ligjëratë, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti para studentëve të Kolegjit AAB foli edhe për sfidat me të cilat përballet në qeverisjen e komunës, pastaj foli për buxhetin, administratën, për projektet kapitale, arsimin e shëndetësinë, si dhe për tema të tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen në komunën që ai drejton.

Në pjesën e fundit të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AB parashtruan pyetje të ndryshme, të cialve iu përgjigj kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

Cikli i “Debateve për Qeverisjen Lokale në Kosovë” në Kolegjin AAB do të vazhdojë edhe në ditët ardhshme me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Deri më tani kanë qenë gjashtë kryetarë të komunave: Kryetari i Pejes, Gazmend Muhaxheri; kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri; kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini; kryetari i Ferizajt, Agim Aliu; kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe sot kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. /Gazeta KNN