Aktuale

Infrakos: Qeveria e Kosovës ta mbështesë hekurudhat me mjete financiare

Sindikata e pavarur e Infrakos-it reagon ashpër për ndaljen e qarkullimit te të gjithë trenave të udhëtarëve në Kosovë dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mbështesin hekurudhat me mjete financiare.

Hekurudharët konsideron se lajmi për ndaljen e trenave është shumë i keq, sidomos për pasagjerët që e kanë shfrytëzuar transportin hekurudhor si mjet transporti.

“Pas 17 viteve të çlirimit të Kosovës, të ndalen trenat e udhëtarëve është më shumë se dështim i të gjithë akterëve relevant, në radhë të parë Ministria e Infrastrukturës, e cila është përgjegjëse për politikat e transportit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila është përgjegjëse për zhvillimin e kompanive publike si dhe Ministria e Financave e cila nuk i ka mbikëqyrë mjetet e dhëna për Hekurudhat e Kosovës”, thuhet në reagim.

Sindikata e pavarur e Infrakos-it përkujton se prej ndarjes së Hekurudhave të Kosovës në dy kompani në vitin 2011, Trainkos dhe Infrakos, të dyja këto kompani janë menaxhuar shumë keq dhe me kohë është ditur se do të vijë deri te degradimi i këtyre dy kompanive.

Qeveria e Kosovës edhe pse nuk i ka përmbushur të gjitha obligimet e saj ndaj “Infrakos” dhe “Trainkos” nuk e ka pasur as vëmendjen e duhur për ta mbikëqyrë asnjërën nga këto dy kompani të hekurudhave të Kosovës, andaj kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të kthejë kokën kah Hekurudhat e Kosovës, së pari ta mbështesë hekurudhën me mjete financiare dhe të krijojë politika të qëndrueshme të transportit, pasi që deri më sot asnjë institucion që ndërlidhet me Hekurudhat e Kosovës, nuk kanë qenë të përgjegjshme, as ato qeveritare por as agjensionet vartëse shtetërore, pasi këto institucione udhëhiqen nga militantët partiak dhe nga klientelistët që punojnë për shefat e tyre, por edhe për përfitime të ngushta personale”, thuhet në reagim