Aktuale

Iniciohet ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka formuar komisionin për nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Kryetari i këtij grupi punues u zgjodh anëtari i këtij komisioni, Veton Berisha, ndërsa anëtar tjerë Mufera Shinik, Danush Ademi, Sasha Milosavleviq dhe Xhelal Sveçla.Kryetari i Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Igor Simiq, tha se komisioni ka mundësi për ndryshimin e këtij ligji. “Grupi punues që do të merret me plotësim ndryshimin e ligjit për Festat Zyrtare.

Konstatoj se është formuar grupi për mbikëqyrjen e këtij projektligji”, tha ai. Ndërkaq anëtari Veton Berisha kërkoi që edhe dita e egjiptianëve të shpallet festë zyrtare në Republikën e Kosovës, para datës 24 qershor, në mënyrë që prej këtij viti të fillojë respektimi i saj.

“Qe 3-4 vite ne e shënojmë këtë ditë. Duke u bazuar në kushtetutë komuniteti egjiptian kërkon që sa më parë kjo ditë te futet në kalendarin e festave zyrtare, që kjo ditë të shpallet si festë zyrtare para 24 qershorit”, tha ai. Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje është caktuar grupi punues për mbikëqyrjen e Ligjit për financimin e qeverisjes lokale, i udhëhequr nga anëtarja Duda Balje.

Krejt në fund, anëtari Veton Berisha kërkoi pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Brendshme dhe atij të Mirëqenies Sociale në takimet e radhës të këtij komisioni në mënyrë që të diskutohet edhe për numrin e pjesëmarrësve të komuniteteve në Policinë e Kosovës dhe institucione tjera.