Ekonomi

INSTAT: Bie numri i kosovarëve që vizituan Shqipërinë në korrik 2017

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin korrik 2017 është 1.379.302, që paraqet rritje prej 2.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në raportin e INSTAT thuhet se numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është 864.023, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ose 0.1 për qind më pak.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në shtatë mujorin e 2017 është 5.199.145, duke u rritur me 5,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Në korrik 2017, ndër dhjetë vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, ato nga Zvicra kanë pësuar rritjen më të madhe me 52,3 %, ndërsa uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Kosova me 33,2 %.

Në shtatë mujorin 2017, ndër dhjetë vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, rritja më e madhe e hyrjeve ka ardhur nga Polonia me 71,1 % dhe rënia më e madhe nga Kosova me 17,3 %.

Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit korrik 2017 janë 1.362.491, duke shënuar një rritje me 6,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë korrikut 2017 është 496.163, që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky numër është rritur 11 %.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë në shtat mujorin e 2017 është 2.759.744 duke u rritur 4,9 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hyrjet e shtetasve të huaj në muajin korrik 2017, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 76,9 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 11,9 % dhe detare zënë 11,2 %.