INSTAT: Papunësia në Shqipëri zbret në 13.9 %

Papunësia në Shqipëri zbriti në 13.9 % në tremujorin e dytë të 2017, niveli më i ulët që nga tremujori i III i 2014-s, raporton Instituti i Statistikave (INSTAT).

Gjatë ditës së sotme ministri i Financave, duke mbajtur fjalën në kuvend mbi objektivat për zhvillimin ekonomik në mandatin e dytë të qeverisë, theksoi se kemi prioritet uljen në nivel njëshifror të papunësisë.

Papunësia për femrat, sipas INSTAT-it, është 2,4 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt.

“Në tremujorin e dytë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 13,9 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë për meshkujt ka rënë me 1,5 pikë përqindje dhe për femrat ka rënë me 1,7 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 14,9 % dhe për femrat është 12,5 %. Shkalla e papunësisë për femrat është 2,4 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt”, raporton INSTAT.

Me rënie është edhe shkalla e papunësisë për moshat e reja. Për kategorinë 15 deri në 29 vjeç, ndryshimi vjetor është 3,5 pikë përqindje më i ulët.

INSTAT raporton po ashtu se shkalla e punësimit në vend është rritur. Sipas INSTAT, në 3-mujorin e dytë të këtij viti shkalla e punësimit për popullësinë 15-64 vjeç ka një rritje vjetore me 3,4 përqind, kjo e mbështetur në rritjen e punësimit në sektorin e shërbimeve me 9 përqind dhe sektori i industrisë me 2,5 përqind, kurse në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1,7 përqind.