Interesat e kredisë në euro ulën në 4.1%

Ulja e normës së interesit të euros, kredi/depozita, pritet të japë efekte në zbutjen e fenomenit të euroizimit në ekonomi.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, interesi mesatar për kredinë e re në euro, në 3-mujorin e fundit 2017, zbriti në 4.1%, nga 4.7% që ishte në tremujorin e mëparshëm.

Interesat për kredinë në euro janë ulur tek të gjitha maturitetet, por ndikimin kryesor e dhanë ato për kredinë afatgjatë.

Sipas qëllimit të përdorimit, vihet re se ulja ka qenë e konsiderueshme tek interesat për kredinë për investim të bizneseve, si dhe tek ato për konsum për individët.

Ndërkohë, interesat e kredisë hipotekare për individët nuk kanë ndryshuar nga tremujori i kaluar.

Diferenca e normës mesatare të kredisë në lekë kundrejt asaj në euro u rrit lehtas në këtë tremujor, duke reflektuar uljen e interesave për kredi në euro, por në terma mesatarë për këtë vit ajo mbetet pranë nivelit të vitit të kaluar.