Arsim & Kulturë

Ish-kongresisti amerikan Jerry Weller mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB

Sot në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB, mbajti ligjëratë speciale ish kongresmeni amerikan Jerry Weller me temën “Politika aktuale amerikane”.

Me këtë rast, Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha falenderoi z.Weller për prezencën e tij në Kolegjin AAB si dhe shtoi se ky fjalim i dedikohet një personi që vjen nga një vend i veçantë.

“Amerika, vendi që na ka  mbrojtur në vitin 1999 nga katastrofa humanitare, është i njohur për zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha konsiderohet tempulli i demokracisë botërore. Ne jemi të nderuar të dëgjojmë ligjëratën e Jerry Weller për zhvillimin aktual politik në ShBA”, u shpreh Rektori Demjaha.

Ndërsa ish kongresmeni amerikan Jerry Weller tha se është kënaqësi për të që gjendet këtu dhe tregoi për përvojën e tij në Kongresin Amerikan si dhe për politikat zbatuese të ShBA-së.

“Politikën e fillova si vullnetar për të përfunduar më pas si kongresmen. Gjatë kohës si kongresmen u mundova që të përfaqësoj më së miri të gjithë ata që ma besuan këtë detyrë”, shtoi Weller.

Tutje, z.Weller në këtë ligjëratë foli edhe për Kosovën, ku me këtë rast uroi Kosovën për procesin zgjedhor të 6 tetorit si dhe për formimin e qeverisë.

“Kosova eshte shtet i pavarur dhe duhet të njihet si e tillë, Kosova tashmë njihet nga gjysma e vendeve me të cilat ka edhe raporte diplomatike”.

Jerry Weller shtoi Kosova duhet të punojë më shumë në zhvillimin ekonomik, pasi që pyetja më e shpeshtë që i bëhet nga të rinjtë e vendit është se çfarë është mundësia ekonomike.

“Duhet të dini që unë jam një tregtar i lirë. Kur isha në kongres, kam qenë shumë aktiv dhe avancoja marrëveshje bilaterale dhe shumëpalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tregtar. Sfida për themeluesin tonë në atë kohë ishte si ta krijonin një ekuilibër për të formuar ShBA-në dhe bashkëjetesën për të gjithë ata që duan të jenë pjesë dhe dëshirojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Ish-kongresisti amerikan Jerry Weller u përgjigj edhe në pyetjet e studentëve të Kolegjit AAB të cilat ishin rreth taksës 100% që Kosova e ka vendosur ndaj shtetit serb.

“Natyrisht në një vend ideal nuk ka pengesa tregtare, kështu që idealisht nuk ka nevojë për tarifa dhe ju e dini që Kosova është një vend i pavarur dhe meriton njohje si vend i pavarur. Në parim gjysma e botës dhe kombeve deri më tani zyrtarisht e kanë njohur Kosovën si një vend i pavarur që vendos marrëdhënie diplomatike. Fatkeqësisht, ekziston një politikë në Serbi, e cila ka punuar kundër procesit të njohjes së Kosovës dhe sinqerisht e mban Kosovën mbrapa në shumë mënyra si objektive dhe ekonomike, sepse krijon më pak siguri”, tha ndër të tjera z. Weller./ GazetaKNN

the authorGazetaKNN