Aktuale

Ismaili: Po e presim dritën e gjelbër nga OBSH-ja për listën esenciale të barnave

Lista esenciale e barnave nuk është azhurnuar që nga viti 2013 dhe e cila ka bërë që të mos jetë në përputhje me nevojat e pacientëve dhe zhvillimin e trendëve mjekësore dhe farmaceutike.

Një listë e tillë është paralajmëruar kohë më parë nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili. Ky i fundit ka siguruar se kjo listë do të përfundojë gjatë këtij viti.

Ministri Ismaili, ka thënë se për listën esenciale të barnave, janë duke e pritur dritën e gjelbër nga Organizata Botërore e Shëndetit.

“Muaji maj do të na sheh me një listë esenciale të përfunduar. Kështu të paktën janë të gjitha parashikimet. Jemi duke pritur vetëm OBSh-në, të na jep dritën e gjelbër për gjithë punën që është bërë. Është një punë jashtëzakonisht e madhe, e vështirë. Mirëpo janë përfshirë barna të ndryshme dhe tani do të arrijmë me një listë e cila është më komplete se qe e kemi pas por edhe një listë e cila nuk i jep favore asnjë kompanie por i jep favore vetëm kualitetit. Do të mundësojë që, ju e dini se që nga viti 2012 nuk ka pasur revidim të listës esenciale, pra barnat kanë mbetur të vitit 2012”, tha Ismaili.

Këtë vit pritet që të rregullohen edhe çmimet e barnatoreve në treg. Në lidhje me këtë ministri Ismaili, ka bërë të ditur se ato do të jenë të njëjta dhe jo më të shtrenjta se në vendet e rajonit. Balancimin e çmimeve, Ismaili thotë se e kanë pranuar edhe farmacistët.

“Nëse shkon dhe e sheh se kjo ka ndodhur me vite e vite ajo i varfëron njerëzit, se pse ka nevoje Kosova pse ka nevojë qytetari Kosovës me e ble një bari më shtrenjtë se në Maqedoni dhe Shqipëri, cila është arsyeja? Nuk kemi kurrë far arsye ne me ble më shtrenjtë, e jona, qëllimi duhet me qenë aty ose më lirë por jo më shtrenjtë dhe mendoj që këtë e kanë kuptuar edhe vet pra farmacistët dhe unë kam pas një mbështetje të madhe që kjo të rregullohet njëherë e përgjithmonë”, u shpreh ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Ismaili ka bërë të ditur se udhëzimi administrativ në lidhje me rregullimin e çmimeve të tregut në farmacitë e vendit, do të nënshkruhet gjatë muajit maj.

“Ky udhëzimi administrativ është në draftin e fundit dhe po besoj që gjatë muajit të ardhshëm do të nënshkruhet apo në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm do të nënshkruhet dhe do të krijoj një rrjet tjetër në barnatoret tona ku çmimet do të jenë të njëjta, dhe qytetarët do të shkojnë të blejnë mbi bazën e shërbimit”, shtoi Ismaili.

Shpërndarja jo e mirë e barnave dhe mjeteve për repartet spitalore, sipas Ismailit, do të përfundojë së shpejti. Ai ka paralajmëruar se nëpër të gjitha klinikat e QKUK-së, do të bëhen barnatore, nga të cilat do të furnizohen repartet. Ai pranon se këto mjete spitalore nuk kanë pasur kontroll.

“Ne kemi investuar së bashku me ShSKUK-në që të kemi barnatore dhe në klinika të QKUK-së, barnatore të cilat do të ruhen barnat dhe materialet për atë repart. Deri më tani nuk e kemi pasur një gjë të tillë dhe janë ruajtur në ambientet të cilat as nuk kemi pas kontroll dhe as nuk e kemi ditur çka ka ndodhur. Ky problem i shpërndarjes së barnave, ka krijuar shpeshherë probleme”, tha Ismaili.

Ismaili e sheh urgjente furnizimin klinikave me barnave, duke marrë shembull edhe rastin e fundit ku mungesa e dorëzave në Klinikën e Gjinekologjisë.

“Rasti i furnizimit të barnave është rast që ka nevojë të përmirësohet dhe do të përmirësohet urgjent, pra kemi filluar nga viti kaluar por mos e shihni furnizimin me barna si të ndarë, furnizimi i barnave ka pas të bëjë së pari me ndarjen e çmimeve abuzive, se ti nëse blen barna me çmime të shtrenjta nuk i ke realizuar, dhe nëse e mbushë spitalin barna, por i ke blerë me 7-8 milionë, 10 milionë euro më shtrenjtë, ti ke bërë një punë të keqe dhe të gabuar”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë tha se janë përmirësuar dukshëm problemet, të cilat kanë bërë që Kosovës t’i humbin milionat. Rastin e mungesës së dorezave, e quan problem që ka të bëjë me centë.

Viti 2020 pritet ta gjejë Kosovën me sigurimet shëndetësore. Ministri Ismaili ka pohuar se një gjë e tillë do të bëhet.

Ai ka thënë se si fillim këto sigurime do të mbulojnë pagesën e barnave jashtë spitalore. /FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli