Aktuale

Izraeli do të vijojë kontributin në rindërtimin e banesave në Shqipëri

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot ambasadorin e Izraelit, Noah Gal Gendler, me rastin e fillimit të detyrës së tij në Shqipëri.

Ruçi uroi ambasadorin Gendler për misionin e tij në Shqipëri dhe vuri në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë të shkëlqyera e se ato bazohen në një histori të gjatë miqësie, sakrificash dhe respekti reciprok midis të dy popujve.

Kreu i Kuvendit vuri në dukje perspektivën e gjerë të bashkëpunimit midis të dy vendeve, në mjaft fusha si në bujqësi, hoteleri, turizëm etj.

Ruçi e falënderoi ambasadorin Gendler për kontributin shumë të çmuar të ekspertëve izraelitë në verifikimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit dhe kërkoi që ndihma e Izraelit të vazhdojë edhe për periudhën e rindërimit.

Ambasadori Noah Gal Gendler shprehu mirënjohjen për konsideratat e larta të popullit të autoriteteve të Shqipërisë për shtetin dhe qytetarët e Izraelit dhe nënvizoi se sakrificat e shqiptarëve për hebrenjtë nuk do të harrohen kurrë.

Gendler bëri me dije se Izraeli do të vazhdojë të kontribuojë edhe në fazën e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

the authorGazetaKNN