Aktuale

Ja sa është rroga mesatare në Maqedoni

Neto-paga mesatare mujore e paguar për të punësuar në Maqedoni në tetor të këtij vitit arrin 22.460 denarë, apo 365 euro, dhe është për 1,1 për qind më e lartë në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Bruto-paga mesatare është 33.023 denarë dhe është për 1,3 për qind më e lartë sesa në tetor të vitit 2015. Në tetor të këtij viti 1,1 për qind e të punësuarve në RM nuk kanë marrë pagë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, rritja e neto-pagës vjen falë pagës më të lartë të paguar në sektorin e Ndërtimtarisë për 6,4 për qind, Veprimtarive administrative dhe atyre ndihmëse shërbyese për 5,8 për qind dhe Objekteve për akomodim dhe veprimtarive shërbyese me ushqim  5,7 për qind.

Rritja e neto-pagës mesatare të paguar për të punësuar, në raport me muajin paraprak, është shënuar në sektorët e Ndërtimtarisë 7,5 për qind, Veprimtarive administrative dhe ndihmës shërbyese për 5,8 për qind, Objekteve për akomodim dhe veprimtarive shërbyese me ushqim për 5,6 për qind.

Rritje të bruto-pagës mesatare mujore të paguar për të punësuar, në krahasim me muajin paraprak ka në Veprimtaritë administrative dhe ndihma shërbyese për 4,6 për qind, Objekte për akomodim dhe veprimtari shërbyese me ushqim për 4,2 dhe Art, argëtim dhe rekreim për 3,6 për qind.