Tech

Jaguar E-Pace arrin në korrik

Jaguar më 13 korrik do të prezantojë modelin e tij më të ri E-Pace, i cili në gamën e këtij prodhuesi do të marrë pozitën nën modelin F-Pace, transmeton KosovaPress.

Brendi, i cili me dekada ishte i njohur për limuzina luksoze dhe sportive, kishte nisur të marrë territorin e SUV/crossover para disa vitesh me modelin F-Pace. Jaguar ka marrë vendim të duhur për modelin e ri, duke pasur parasysh se kërkesat për modelin F-Pace në vitin 2016 shënuan ngritje prej 87% në krahasim me vitin paraprak.

Sukses i madh i kompanisë ishte në muajin prill kur Jaguar F-Pace në sallonin e veturave në Nju Jork u shpall automobili i vitit në botë për 2017 dhe në të njëjtin manifestim mori edhe një shpërblim – u zgjodh vetura me dizajnin më të mirë për 2017, transmeton KosovaPress.

Ndryshe, kompania pas prezantimit në korrik të E-Pace, do të fillojë me prodhimin e automobilit të tretë nga kjo klasë, crossover-in elektrik I-Pace, koncepti i të cilit ishte prezantuar kah fundi i vitit 2016.