Sport

Jahmir Hyka: De Basi do të më rikthejë në kombëtare

Vetëm dy ditë më parë i shënoi një supergol skuadrës së sheikëve të Monakos dhe ishte pikërisht goli i tij që i dha fitoren skuadrës së Luzernit.

Prej dy vitesh po luan rregullisht në kampionatin zviceran dhe në skuadrën drejtuesit i thërrasin “Messi i Shqipërisë”.

Ka luajtur me kombëtaren dhe mban rekordin për golin më të shpejtë që ka shënuar ndonjëherë  ndonjë lojtar i kombëtares kuq e zi.

Jahmir Hyka që kur prek topin me lëvizjet e tij emocionon tifozët, në një intervistë për portalin Syri.net ka treguar momentet e pozitive që po kalon tek skuadra e Luzernit dhe fazën përgatitore të skuadrës.

Hyka në fjalët e tij respekton zgjedhjet e trajnerit De Biasi dhe punën që ka bërë me ekipin kombëtar duke arritur suksesin historik me pjesëmarrjen në kampionatin evropian.

Mesfushori i talentuar shprehet se është gati që të jap kontributin e tij me kombëtaren për ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror “Rusi 2018”dhe beson se do ti vij ftesa nga De Biasi për ndeshjen e parë të 7 Shtatorit kundër Maqedonisë.

Jahmir, keni shënuar një supergol në ndeshjen ndaj Monakos ku i dhatë fitoren skuadrës tuaj të Luzern, a tregon kjo se po vazhdoni të jeni në formë që nga sezoni shkuar?

Hë hë… këtë duhet ta shohim kur të fillojnë ndeshjet zyrtare… Megjithatë normalisht jam i lumtur sepse përveç golit ndjehem mirë si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në sezonin e ri .

Cilat ishin komentet e trajnerit pas ndeshjes?

Normalisht pas një faze përgatitore mjaft të lodhshme që kemi bërë ka akoma disa gjëra që duhen përmirësuar, po përgjithësisht ka ngelur i kënaqur me atë çfarë kemi treguar në fushë.

Për sezonin e ri cilat janë objektivat e skuadrës së Luzern dhe objektivi juaj kryesor?

Synimi i Luzernit besoj se do jetë përsëri arritjeve e vendeve që të çojnë në Europë, gjithashtu të mundohemi të arrijmë sa më larg në kupën e Zvicrës. Kurse në anën personale besoj objektivi është që të vazhdoj formën që kisha edhe vitin e kaluar dhe të ndihmoj ekipin në objektivat që ka.

Çfarë presin tek Luzerna nga Hyka për sezonin e ri?

Normalisht që presin sepse është viti i 5 i imi këtu në Luzern dhe bashkë me disa lojtarë të tjerë jemi lojtarë më të vjetër dhe më me eksperiencë, besoj se e rëndësishme është që të jap gjithmonë maksimumin në fushë dhe me cilësitë e mia ta ndihmojë ekipin.

Duke qenë se jemi në merkato vere, a keni oferta konkrete që mund të tundojnë për të ndryshuar skuadër për sezonin e ardhshëm?

Unë kam edhe një vit kontratë me Luzernin dhe ndjehem mirë, në të ardhmen besoj se do ulem të bisedoj me klubin për të ardhmen time dhe do shohim se çfarë do ndodhi … Megjithatë në qoftë se vjen një ofertë e mirë që nuk refuzohet, atëherë nuk i dihet çdo gjë është e hapur, merkato është e gjatë.

Nëse do ishte pjesë e kombëtares në kampionatin evropian, çfarë do bënte më mirë Hyka?

Besoj me mundësitë që ka ekipi jonë, çunat u paraqitën mjaft mirë në Europian dhe këtë nuk ka kush e mohon, megjithëse po të kishim rrezikuar pak më shumë në anën ofensive edhe mund të kishim arritur diçka më shumë. Nuk e di të them se çfarë do bëja më mirë po të isha unë në Europian sepse është diçka që ka kaluar tani, të mendojmë për të ardhmen më mirë.

Ju keni luajtur rregullisht me Luzernin në dy vitet e fundit a mendon se do të vij një ftesë nga kombëtarja?

Detyra ime është të jap maksimumin tek klubi ku unë luaj, a ftohem apo jo këto janë zgjedhje personale të trajnerit dhe ai mban përgjegjësi për ato. Unë jam i gatshëm në qoftë se do të ftohem.

A mendon se shpejtësia e Hykës do ta ndihmojë kombëtaren për ndeshjet kualifikuese të botërorit?

Karakteristikat e mia i vlerëson trajneri nëse janë të vlefshëm për lojën e ekipit. Unë ndihem mirë që kombëtarja shqiptare ka nje ekip cilësor dhe ka arritur suksesin historik. Si çdo lojtar do isha i lumtur që të ribashkohesha përsëri me kombëtaren për të dhënë një kontribut që do ta ndihmonte lojën dhe skuadrën që të rritej akoma më shumë.