Aktuale

Javën e ardhshme në SHBA betohet ambasadori i ri për Kosovën

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Philip Kosnett, javën e ardhshme do të betohet përpara Departamentit të Shtetit.
Pas këtij betimi që do ta kryej, ai pritet që më pas të vendoset në Prishtinë.

Këtë për Gazetën Express, e ka konfirmuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Ambasadori Kosnett do të betohet në Departamentin e Shtetit javën e ardhshme dhe pritet të arrijë pak pas kësaj”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Ambasadori i ri Kosnett do të jetë pasues i ish-ambasadorit Greg Delawie i cili ka përfunduar mandatin e tij në muajin shtator.

Ai ka punuar si i ngarkuar me punë të përkohshme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara.

Ai ka shërbyer edhe si zëvendësshef i Misionit Amerikan në Uzbekistan dhe në Islandë.

Po ashtu, ai gjatë karrierës ka qenë i angazhuar edhe në pozita të ndryshme politike, politike-ushtarake dhe ekonomike-tregtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Holandë e Japoni.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë ka qenë i angazhuar në zyrë të Departamentit të Shtetit për Evropë kundër terrorizmit, politiko-ushtarake, të Inteligjencës dhe Kërkimit.

Philip Kosnett është i diplomuar në Universitetin e Harvardit.

Ai është nderuar me 10 çmime të Departamentit të Shtetit, ka marrë Medaljen e Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes për Shërbim Civil të Jashtëzakonshëm dhe Medaljen e Departamentit të Këmbësorisë për Shërbim Civil të Shkëlqyer.

Aktualisht Ambasada e SHBA-së në Republikën e Kosovës është duke u drejtuar nga e ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Colleen Hyland./GazetaExpress/