BE jep 2.3 milionë euro për Kodin Civil të Kosovës

Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë lansuar projektin “Mbështetje Kodit Civil, faza 2”, ku në këtë ceremoni është thënë se ky projekt do të ketë koston prej 2.3 milionë euro e që është financim nga BE-ja.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti u tha të jetë përmirësimi i standardeve të sektorit gjyqësor në Kosovë dhe vazhdimi i përkrahjes së BE-së për modernizimin dhe harmonizimin e kornizës ligjore për çështjet civile.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, bëri të ditur se projekti do të ketë koston prej 2.3 milionë euro, ndërsa shtoj se BE vazhdon të mbështesë Ministrinë e Drejtësisë për të finalizuar Kodin Civil gjithëpërfshirës dhe të avancuar për Kosovën.

Po ashtu, ajo tha se ky ligj Kosovën do ta afrojë më afër BE-së.

“Projekti ka fokusin tek komunikimi dhe sjellë transparencë të plotë në hartimin e kodit civil dhe që do të dëgjohet çdo gjë, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të merren parasysh zërat e të gjithëve. Një kod civil modern dhe i unifikuar është njëri nga aspektet e rëndësishme të MSA-së, natyrisht që MSA paraqet një aspekt shumë të rëndësishëm për prosperitetin e Kosovës në regjion. Një kod civil gjithëpërfshirës do të ju ndihmoj njerëzve që ta kuptojnë më mirë të drejtën e tyre dhe të udhëheq individët, familjet, zbatuesit, bizneset dhe organizatat e tjera që të gjejnë rrugën në mes të gjuhës ligjore”, tha ajo.

Ajo tha se projekti do të siguroj që kodi civil të jetë i qartë dhe të jetë i qasshme nga të gjithë personat në Kosovë.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se po inicion konkretisht realizimin e një prej zotimeve të tij për qytetarët e Kosovës, organet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit. Sipas tij shumë shpejt do ta kenë në dispozicion një kod civil që do të definoj marrëdhëniet e fushës civile dhe që do të gjejë zbatim në praktiken juridike të Kosovës.

“Hartimi i kodit civil jo vetëm që është prioritet i imi, por njëkohësisht është një nga prioritetet më të rëndësishme legjislative pas kushtetutës së Republikës së Kosovës. Si i tillë kodi civil paraqet reformën më të madhe të ndërmarrë deri më tani në fushën e të drejtës civile. Zhvillimi i një sistemi funksional të marrëdhënieve të detyrimit, të drejtave sendore dhe pronësisë si dhe të drejtës familjare dhe trashëgimore adreson nevojën e madhe për zgjedhjen e sfidave dhe problemeve komplekse të zbatimit, të interpretimit në rrafshin praktik të normave ligjore ekzistuese. Po ashtu, mbështetur në kërkesat e vazhdueshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve në funksion të harmonizimit të direktivave të Bashkimit Evropian kemi ardhur deri tek realiteti i kombinimit të sistemeve të ndryshme ligjore dhe tek sfida për realizimin e zbatimit në kuadër të legjislacionit të kësaj fushe e cila është kyçe për zhvillimin e duhur të rrethanave shoqërore juridike, respektivisht të marrëdhënieve ekonomike në vendin tonë”, tha ai.

Ministri Tahiri, tha se Ministria që drejton është e vetëdijshme se angazhimi i hartimit të këtij kodi është projekt mjaftë ambicioz, megjithatë sipas tij tash rruga është e qartë dhe qasja është vendosur.

Kurse, eksperti i grupit punues për hartimin e kodit, Haxhi Gashi, paraqiti atë se çfarë do të përmbajë ligji. Po ashtu, ai bëri të ditur se struktura e Kodit Civil do të jetë sipas modelit të kodit civil gjerman.

“Kodi Civil në vete përmban ligjin e detyrimeve, ligjin e pronësisë, ligjin e familjes, ligjin e trashëgimisë. Struktura do të jetë sipas modelit të kodit civil gjerman, por me modifikime duke pasur parasysh rrethanat e Kosovës, ligjet ekzistuese që janë në Kosovë dhe i modernizuar me direktiva të Bashkimit Evropian, do të ketë edhe pjesën e përgjithshme. Ju siç e dini për kodin civil është diskutuar në vitin 2000, 2003, 2004, por në atë kohë Kosova nuk ishte e mundur të ketë një kod civil. Faza ka filluar në 2014, 2016 me fazën e parë të projektit të BE-së dhe tani jemi në fazën e dytë të projektit të BE-së, ku ministri Tahiri është zotuar që ne do të finalizojmë këtë projekt dhe do ta kemi sa më parë kodin civil”, tha Gashi

Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe kohëzgjatja e projektit është 36 muaj, shkurt 2017 deri në janar 2020./kp/