Aktuale

Ka përfunduar intervistimi i deputetes Flora Brovina

Pas gati tri orë qëndrimi në polici, tani ka përfunduar intervistimi i deputetes Flora Brovina, e cila u mor në pyetje rreth publikimit të fotografive që bëri gjatë ditës së djeshme, si dëshmi për krimet serbe në Kosovë.

Deputetja para pak minutash është larguar nga stacioni policor ku edhe ka dhënë dëshminë e saj.

Brovina sikur para se të hynte edhe kur doli nuk ka folur për media dhe është larguar me një veturë zyrtare nga zyrat e Policisë.

Deputetja e Kosovës, nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, e cila tronditi opinionin me publikimin e një fotografie ku pretendohej që dukeshin ushtarë serbë teksa dhunonin një grua shqiptare, ka dhënë deklaratë në Polici pas raportimeve se fotografia ishte e rreme.

Mirëpo, ndonëse kur publikoi fotografinë doli para të gjithë gazetarëve, tani deputetja po u shmanget atyre duke u futur dhe dalë “fshehurazi” në stacionin policor Qendra.

Brovina është futur nga hyrja e prapme, duke shmangur kështu të gjitha mediat që kishin shkuar për të marrë ndonjë deklaratë prej saj.

Gjatë ditës së djeshme Prokuroria Speciale tha se ka nisur hetimet lidhur me rastin e pretenduar nga Brovina.

Si do qoftë, pas raportimeve se fotografia është e rreme, analistë, gazetarë e politikanë kanë reaguar ashpër, duke drejtuar gishtin nga Flora Brovina.

Nuk ka mbetur pa reaguar as Vasfije Krasniqi, e cila është gruaja e parë që publikisht doli dhe foli për përdhunimin e saj nga ushtarët serbë.

Ndryshe, edhe pas raportimeve se fotografia është e rreme, Flora Brovina ka insistuar për rastin në fjalë, duke thënë se fotografia është autentike dhe se gruaja në foto jeton akoma dhe për këtë ka dëshmi./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli