Aktuale

Kabineti i Haradinajt demanton ministren Hoxha, Gjermania s’po e bllokon liberalizimin

Kabineti qeveritar që udhëheq Ramush Haradinaj nuk e ka një qëndrim dhe vlerësim se kush po e pengon liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo, pasi vetë kryeministri Haradinaj ka vlerësim tjetër sa i përket qëndrimit të Gjermanisë për liberalizmin e vizave dhe tjetër qëndrim ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Kjo e fundit gjatë ditës së sotme ka fajësuar tri shtetet kryesore të Bashkimit Evropiane, njëkohësisht shtetet më mike të Kosovës, Gjermaninë, Francën dhe Holandën për bllokimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Mirëpo, në anën tjetër, në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë mohuar se Gjermania është pengesë për marrjen e vendimit që qytetarët kosovarë të lëvizin lirshëm në Evropë, shkruan FaktePlus.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se Gjermania tashmë edhe publikisht ka shprehur qëndrimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Mbështetja e shtetit gjerman pro liberalizimit të vizave tashmë është publike pas takimit me ministrin e Brendshëm Gjerman dhe në këtë aspekt nuk ka asnjë dilemë. Prandaj edhe ekipet bilaterale teknike janë duke punuar në këtë çështje”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, këshilltari Matoshi nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e vartëses së Haradinajt, Dhurata Hoxhës, duke thënë se ky është qëndrimi i shefit të tij, se Gjermania nuk është pengesë.

“Nuk i komentojë deklarata e tjerëve. Ky është qëndrimi i kryeministrit Haradinaj. Absolutisht jo”, është shprehur Matoshi.

Mirëpo, në një intervistë për Ekonomia Online, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, ka thënë se disa shtete të Bashkimit Evropian, kanë dalë haptazi kundër liberalizimit të vizave, siç janë Franca e Holanda.

Madje, ajo ka përmendur edhe Gjermaninë si njëra ndër shtetet kundër vendimit për liberalizimin e vizave.

“Tani po shohim një hezitim nga disa shtete anëtare siç është Franca, Holanda, deri diku edhe Gjermania nuk ka një mendim të qartë, përkundër faktit që ministri i Brendshëm ka thënë që “po” liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo në anën tjetër në takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Brendshme, i cili u mbajt me 6 dhe 7 qershor, pra i parapriu takimit të këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe asgjë nuk u diskutua për Kosovën. Pra, as Gjermani, asnjëra nga këto shtete nuk e hapi temën e liberalizimit të vizave”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, kjo i bënë të kuptojnë se pa u arritur një konsensus në mes të anëtarëve të BE-së nuk do të kenë një vendim në Këshillin e Ministrave.

Ministrja Hoxha shpreson që kjo të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin sa më shpejt, mirëpo e gjitha tani është në duar të shteteve anëtare, gjegjësisht dy tri shteteve që duhet ta lëvizin këtë proces përpara./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli