Aktuale

Kallëzim penal për personat përgjegjës që shpërndan pamjet nga burgu i Prizrenit

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, dorëzoi sot tek kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi kallëzim penal kundër personave përgjegjës të drejtorisë regjionale të policisë së Kosovës në Prizren, kundër personave përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gjithë personave që identifikohen gjatë hetimeve për vdekjen e Astrit Deharit.

Ky kallëzim sipas Gashit erdhi si pasojë e publikimit në media  të  pamjeve të kamerave të sigurisë nga burgu i Prizrenit ku edhe gjeti vdekjen aktivisti i Vetëvendosjes.

Gashi tha se publikimi i provave është e jashtëligjshme dhe konsiderohet vepër penale.

Sipas tij saktësisht janë kryer katër vepra penale, zbulimi i pa autorizuar i informacioneve, manipulimi me prova, zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe keqpërdorimi i autoritetit zyrtar.

 

“Në policinë e Kosovës ekzistojnë edhe dokumente që e vërtetojnë se provat në asnjë mënyrë nuk mund të publikohen, ato ruhen në vende të sigurta dhe derisa nuk bëhet ekzaminimi i tyre askush nuk mund të ketë qasje tek ato prova kinse për të mos i kontaminuar.Ju e patë që në media janë publikuar pa marrë parasysh a janë të vërteta a janë të rrejshme, apo mund të jenë të montuara, pamje nga qendra e paraburgimit në Prizren dhe me këtë faktikisht ka filluar kontaminimi i provave gjë që është vepër penale dhe ne në Prokurorinë e shtetit i kemi paraqitur për katër vepra penale; zbulimi i pa autorizuar i informacioneve konfidenciale nga neni 203 i Kodit Penal të Kosovës, manipulimi me prova nga neni 397 i Kodit Penal të Kosovës, zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 433 i Kodit Penal të Kosovës dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422”, tha Gashi.

Sipas Gashit kallëzimi penal nuk ka të bëjë aspak me hetime kundër mediave, por vetëm me pjesëmarrësit apo personat përgjegjës që zbuluan provat para se të kryhen hetimet dhe e cilëson si krim që përcaktohet me vepra penale.

 

“Ne nuk akuzojmë askënd prej përgjegjësve në mediume të caktuara, asnjë gazetar që i ka publikuar këto por i akuzojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë që i kanë zbuluar provat para se hetimet të kryhen”, tha avokati Gashi.

Avokati ligjor i familjes Dehari madje tha se ato pamje nuk i ka pasur as Prokuroria duke cituar kështu kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha i cili i ka thënë se as ata nuk i kanë pasur ato pamje.

Madje sipas tij Hoxha është  shprehur i shqetësuar dhe i befasuar nga publikimi i xhirimeve nga kamerat e sigurisë së burgut.

Gashi tregoi se ka kërkuar nga kryeprokurori që të  eliminohen nga hetimet Prokuroria Themelore në Prizren të gjithë oficerët dhe hetuesit nga drejtoria regjionale e Prizrenit për arsye të njohura, duke aluduar në deklaratat e Policisë por edhe të kryeprokurorit Hoxha i cili ka thënë se nuk do lejojë dëmtimin apo qasjen në prova konfidenciale.

 

“Sot rreth orës 12 kam bisedu me kryeprokurorin Sylë Hoxha e kam thirrë në telefon për të qenë i bindur se kryeprokurori nuk i ka këto dhe nuk i ka rezultatet e këtyre pamjeve që janë paraqitur në media. Kryeprokurori Sylë Hoxha ka deklaruar se ata janë të shqetësuar se janë edhe ata në një takim me persona kompetent dhe janë të befasuar, të shqetësuar, të shokuar se si kanë mund të dalin këto pamje të filmuara nga kamerat e sigurisë së qendrës së paraburgimit në Prizren para se prokurori kompetent t’i ketë rezultatet e hetimeve. Ai tanimë ka dështuar tërësisht në misionin e tij për shkak se me dhjetëra herë përveç që ka deklaruar në media që provat janë të sigurta dhe të ruajtura ai ka obligim ligjor t’i ruajë ato”, tha Gashi.

Gashi theksoi se ligji obligon që provat të mbesin në dhomat ku ruhen provat, të analizohen nga ekspertë të caktuar dhe çka është me rëndësi sipas tij këto prova nuk ishin analizuar ende dhe kështu nuk veprohet në një shtet ligjor.

Gashi kërkoi veprim të menjëhershëm nga kryeprokurori Lumezi për shkak të rastit tepër të rëndë, të vdekjes së aktivistit të VV-së i cili është arrestuar dhe pas 68 ditësh doli i vdekur nga burgu.

Ai tha se familja e Astrit Deharit nuk ka më besim as në Policinë e Kosovës as në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në qelinë e burgut në Prizren ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar se ka sulmuar me bombë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Vdekja e tij ka shkaktuar shumë reagime në  tërë Kosovën. Ndërprerje të hetimeve ka kërkuar sot edhe Lëvizja Vetëvendosje./KP