Aktuale

Kandidatët e subjekteve politike bënë 65 ankesa në PZAP

Kandidatët e subjekteve politike kanë bërë 65 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura të enjten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Me së shumti ankesa në PZAP kanë parashtruar kandidatët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, me gjithsejtë 22 ankesa, derisa, koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 19 ankesa.

Kryshefi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku, tha për KosovaPress se kandidatët e subjekteve politike kanë paraqitur brenda afatit prej 24 orëve, 65 ankesa. Derisa, sipas afatit ligjor, PZAP-ja, brenda 72 orëve është e obliguar t’iu kthej përgjigje të gjithë ankuesve.

“Deri më tani në orën 14:20 minuta kur ka përfunduar ky afat dhe janë paraqitur gjithsejtë 65 ankesa. Prej këtyre ankesave 22 ankesa i kanë paraqitur kandidatët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, 19 ankesa i kanë paraqitur kandidatët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Lista Serbe i ka paraqitur 11 ankesa dhe kandidatët e subjekteve tjera deri në tri ankesa, por numri total apo i përgjithshëm është gjithsejtë 65 ankesa”, tha Desku.

Nga ato ankesa kanë arritur t’i shohin, Desku tha se kandidatët që janë ankuar pretendojnë se nuk u janë numëruar mirë votat, pasi u janë njehur dikujt tjetër votat e tyre.

“Po ne tani nuk mund të flasim për përmbajtjen e këtyre ankesave, sepse paneli do t’i marrë do t’i shqyrtoj, trajtoj, do t’i krahasoj dëshmitë dhe mbi bazën ankimore, mbi bazën e dëshmive do të marrë hapat apo veprimet ligjore për t’iu përgjigjur apo për t’iu dhënë vendime të gjithë atyre ankuesve në pretendimet ankimore, por kryesisht disa që kemi arritur t’i shikojmë ato pretendime ankimore, kanë të bëjnë me pasaktësinë apo lëshimet që janë bërë nga anëtarët e KVV-së, Këshillave të Vendvotimeve që nuk i kanë regjistruar votat e kandidatëve në mënyrë të duhur, në atë kuptim që nuk ia kanë regjistruar votat atij kandidati i cili është votuar, por votat e tij i janë regjistruar një kandidati tjetër”, theksoi ai.

Pas dhënies së vendimeve nga PZAP-ja, kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesë edhe në Gjykatën Supreme, ndaj vendimeve të PZAP-së.

Po ashtu, edhe Supremja ka në dispozicion 72 orë për të shqyrtuar dhe për të marrë vendim ndaj këtyre ankesave, nëse do të ketë.

Sipas Deskut, pasi të përfundojë shqyrtimi i ankesave nga PZAP-ja dhe eventualisht Gjykata Supreme, atëherë KQZ-ja do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit./KP