Kategorizimi i pagës minimale diskriminon punëtorët

Lëvizja FOL ka organizuar diskutimin e hapur për Pagën minimale dhe efektet e saj në punësim.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se paga minimale është një ndër çështjet më senzitive në vendimmarrje dhe nuk është vetëm politikë e shtetit për të ndërhyrë në tregun e punës, por është edhe çështje morale për të siguruar që nuk ka eksploatim të punëtorëve/eve.

“Vendimi i marr në vitin 2011 për pagë minimale ka qenë vendim ad-hoc, ku nuk ka pasur diskutim publik që do të përfshinin akademinë, sindikatat dhe bizneset”, tha Zulfaj.

Besniki Bislimi, profesor i lëndës Ekonomiksi i tregut të punës, tha se paga minimale në vendet normale, nuk konsiderohet si instrument për luftimin e varfërisë.

Ndërkaq Alejtin Berisha, ndërmarrës, tha se nuk ka vend në botë që biznesi kërkon rritje të pagës minimale, për shkak se biznesi nuk duhet të besojë që dikush tjetër t’ia rregullojë pagën.

Haxhi Arifi, nga BSPK- tha se në Këshillin Ekonomiko-Social(KES) ka pasur diskutime të shumta rreth pagës minimale, dhe në fund është nxjerrë një pagë minimale e kategorizuar, por ka qenë diskriminuese për punëtorët.

Lumnije Hashani nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se kategorizimi i pagës minimale nuk përkrahet as nga Oda Ekonomike e Kosovës për arsye se është vendim diskriminues.