Aktuale

KEDS: U stabilizua furnizimi me energji elektrike në Drenas

Komuna e Drenasit tashmë i është kthyer normalitetit sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Kështu ka njoftuar KEDS-i përmes një njoftimi për media, ku ka njoftuar se është stabilizuar furnizimi me energji elektrike për Komunën e Drenasit dhe disa fshatra përreth. Ata thonë se pos furnizimit stabil, aty tashmë nuk ka as rënie të tensionit, falë punës së palodhshme të punëtorëve të kompanisë.

“KEDS njofton se gjatë këtyre ditëve në Drenas dhe disa fshatra rreth tij, duke përfshirë edhe Parkun e Biznesit është duke bërë investime/revizionim të rrjetit. Intervenimet po bëhen për të siguruar energji më stabile kur po hyjmë në periudhën e dimrit. Nga këto intervenime pritet që të ketë shërbime stabile dhe të sigurta, të ketë numër më të vogël të prishjeve. Ky investim nënkupton edhe krijimin e  një linje alternative shtesë për furnizim që do ta rris edhe më tepër kualitetin e shërbimeve dhe sigurinë e furnizimit si për Drenasin me fshatrat përreth, ashtu edhe për Parkun e Biznesit, kur dihet rëndësia e tij dhe e afarizmit të bizneseve të alokuara aty”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Intervenimet sipas KEDS-it janë të domosdoshme, pasi bëhet fjalë për asete të vjetruara që nuk garantojnë siguri në furnizim.

“KEDS kërkon ndjesë ndaj konsumatorëve dhe mirëkuptimin e tyre për furnizimin jo të rregullt gjatë kësaj kohe duke i siguruar se po bën më të mirën të mundshme që të sigurojë për ta shërbime sa më kualitative”, thuhet në fund të njoftimit.  /KosovaPress/