Ekonomi

Kelmendi: Duhet harmonizim i plotë i sistemit të arsimit me tregun e punës

Zëvendëskryeministri i sapoemëruar i Kosovës Ramiz Kelmendi i ka dedikuar paraqitjen e parë publike çështjes së arsimit dhe punësimit në Kosovë. Ai tha se çështja e mosharmonizimit të plotë të sistemit të arsimit me tregun e punës nuk është problem i ri dhe as që është problem i vetëm i Kosovës, shkruan Gazeta Express.

“Unë kam kuptuar se të metat e kësaj disharmonie të trashëguar më së miri i zbulon praktika me të cilën ballafaqohet çdo biznesmen në Kosovë i cili e përjeton më së keqi zhgënjimin e diplomës, e cila si kualifikim profesional është dëshmi e vetme për punësim,” ka shtuar Kelmendi.

Këto deklarata Kelmendi i bëri në konferencën “Arsim për punësim – bashkëpunimi i shkollave profesionale me bizneset” që u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës.

Qëllimi i kësaj konference është diskutimi dhe nxjerrja e përfundimeve për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet shkollave profesionale me bizneset, me synim të rritjes së numrit të nxënësve të arsimit profesional në realizimin e mësimit praktik dhe praktikës profesionale.