Aktuale

Kërcënon Daçiq: Kosova po “luan me zjarr”

Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i është kthyer deklaratave se pa Serbinë nuk mund të ketë stabilitet në rajon.
Ai ka thënë se nëse Prishtina dëshiron stabilitet duhet të respektojë dakrodimin e nënshkruar nga Hashim Thaçi e Catherin Ashton për Asociacionin.

Daçiq, deklaroi se Beogradi nuk do të lejojë ndryshime në marrëveshjen, në të cilën Prishtina synon ta propozojë lidhur me asociacionin në Kosovë.

“Prishtina harron se marrëveshja e Brukselit është nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Taçi, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Cathrine Ashton dhe unë”, ka deklaruar ai, për agjencinë e lajmeve beta, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, marrëveshja në mënyrë të qartë përcakton se çfarë duhet të bëhet dhe cilat janë kompetenca për të.

“Prishtina duhet të tregojë qartë nëse do ose jo. Korrigjimet nuk do të merren parasysh. Nëse kjo bëhet, të gjitha marrëveshjet e Brukselit bien”, tha Daçiq.

Ai vlerëson se Prishtina po “luan me zjarr”, pasi nuk e kupton faktin se serbët në këtë kohë janë një faktor stabilizues në Kosovë.

Kreu i diplomacisë serbe thotë se Prishtina nuk dëshiron dialog për zgjidhjen e përhershme pasi kanë shpallur shtetin e tyre dhe se Beogradi vetëm duhet ta pranojë atë shtet.

“Tani është më e lehtë të flitet për Kosovën me administratën aktuale amerikane sesa me paraardhësit e tyre, pasi njerëzit që tani janë në krye të SHBA-së nuk ishin pjesëmarrës aktivë të zhvillimeve në rajon” tha Daçiq.