Aktuale

Kërkohet burg i përjetshëm për vrasësin e Zejnepe Berishës

Një kolegj gjyqësor i Gjykatës së Apelit është mbledhur sot për të shqyrtuar ankesën e familjes së Zejnepe Berishës, ndaj vendimit që iu dha autorit të vrasjes së saj, bashkëshortit Nebih Berisha.

Ky i fundit është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 12 vjet burg për vrasjen e gruas së tij në tetorin e vitit 2015

Avokatja e familjes së tash të ndjerës Zejnepe Berisha, Fehmie Gashi- Bytyqi ka kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të Gjykatës themelore në Prizren, ngase sipas saj për këtë rast parashihet dënim me burg të përjetshëm,

“Konsiderojmë që është dhënë një dënim tejet i ulët në krahasim me pasojat me peshën e veprës penale që e ka shkaktuar Nebih Berisha. T’iu rikujtojmë edhe njëherë, Gjykata e shkallës së dytë ta thotë fjalën e vet që edhe do ta jap vendimin më të duhur mirëpo vepra penale kur është vrasja e rëndë sidomos e vrasja ndaj anëtarëve të familjes siç është rasti që ka ndodhur,rasti i vrasjes së Zejnepe Berishës parashihet dënimi deri ne burg të përjetshëm”, tha avokatja.

Por këto pretendime të palës së dëmtuar i ka hedhur poshtë avokati i të akuzuarit për vrasje, Nebih Berisha.

Esat Gutaj kërkoi nga Trupi Gjykues që i mbrojturi i tij ose të dërgohet në trajtim neuropsikiatrik të përhershëm ose aktgjykimi të prishet dhe rasti të kthehet edhe njëherë në rigjykimpasi që sipas në gjykimin e shkallës së parë nuk janë administruar provat e mjaftueshme.

Avokati Gutaj tha se klienti i tij është person me çrregullime mendore dhe se motivi i vrasjes së bashkëshortes është për motive tradhtie bashkëshortore.

“Është një vepër mjaft e rëndë, e cila dashtë e pa dashtë, me dhimbje ose pa dhimbje, gjykata e ka për obligim ta jep edhe shkakun, motivin dhe arsyet e ardhjes deri tek një vrasje e rëndë pse ka ardh. Kjo gjykatë sipas mendimit tim e ka lënë një hapësirë, një lëshim e ka bërë të cilin unë në ankesë e kam potencuar, kjo është e para dhe e dyta ky person sipas edhe familjarëve dhe sipas dokumenteve që i kemi nga mjekët është person me çrregullime mendore. Motivi i vrasjes gjendet në aktgjykim, dyshimi i bazuar se bashkëshortja e ka tradhtuar me një polic të Suharekës që emrin nuk dua t’ia përmend për shkaqe të ruajtjes së personalitetit…prova ka mjaft, janë bisedat telefonike, janë SMS-at që ka pas e ndjera”, tha Gutaj.

Derisa seanca po mbahej brenda nëna e Zejnepe Berishës, para Pallatit të Drejtësisë po mbahej një protestë e organizuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Në protestë kishin ardhue edhe familjarët e së ndjerës. Nëna e Zejnepes, Sala Bytyqi tha për KosovaPress se asnjëherë nuk është pajtuar me dënimin që ka marrë autori i vrasjes të së bijës. Madje ajo tha se po të kishte mundësi do t’ia shtonte dënimin atij që i mori jetën vazjës së tij që la pas vetes katër fëmijë.

“Jo nuk jam…me mujt edhe qaq ja shtoj, çka ka bo ky”, tha Sala Bytyqi.

Kryetarja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova tha se dhënia e dënimit për Nebih Berishën ka shokuar qytetarët e Kosovës, prandaj Rrjeti i Grave nuk ka pranuar të kalojë ky proces pa e ngritur zërin.

Dënimi i tillë siç është ai për Nebih Berishësn është përkrahje e krimit.

“Ne mendojmë si shumica e qytetarëve të Kosovës që është dënim minimal që është dhënë është përkrahur dënimi në këtë rast, edhe këtu duhet krimi t’i ipet një dënim më i rëndë prandaj kemi organizuar edhe protestën që të jemi këtu edhe fizikisht natyrisht gjatë seancës edhe pas seancës kemi qëndruar jashtë, tha Rogova.

Ndryshe, Nebih Berisha në prill është dënuar me 12 vjet burg për vrasje të rëndë që ka ndodhur në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij familjare ku privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berishën dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij.

Vendimi për Berishën nga Gjykata e Apelit do të merret në ditët në vazhdim./KosovaPress.

the authorE B