Kërkohet kompensimi i viktimave të krimit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë të premten se kompensimi i viktimave të krimit është obligim ligjor dhe kjo çështje duhet të rregullohet sa më parë.

Ajo këto komente i bëri në takimin njohës me Komisionin për Kompensimin e viktimave.

Hoxha theksoi se këtë çështje e ka trajtuar me prioritet që nga marrja e postit të ministres, duke përpiluar legjislacionin sekondar, si dhe ditë më parë, është propozuar, emërimi i këtij Komisioni që mori miratimin në Qeveri.

“Kompensimi i viktimave të krimit, është më shumë se obligimin ligjor, është detyrim yni ligjor dhe moral që kjo çështje të rregullohet sa më parë”, tha Hoxha.

Komisioni qeveritar për kompensimin e viktimave në kuadër të vet ka gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, nga Ministria e Drejtësisë, ekspertë nga fusha e mjekësisë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Pas sigurimit të mjeteve financiare, sipas ministres në detyrë Hoxha, me insistim të Ministrisë së Drejtësisë, pret që ky proces të ekzekutohet sa më parë në pajtim me ligjin.