Aktuale

BE kërkon transparencë të financimit të partive

Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, ka prezantuar raportin përfundimtar nga monitorimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 11 qershorit.

Në këtë raport misioni i BE-së ka paraqitur 26 rekomandime për përmirësimin e proceseve të ardhshme të zgjedhjeve në Kosovë.

Shefi i misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, Alojz Peterle në prezantimin e raportit ka paraqitur rekomandimet kryesore, tha se qëllimi i raportit përfundimtar është për të ofruar një analizë gjithëpërfshirëse dhe objektive me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të proceseve zgjedhore në Kosovë.

Ndër rekomandimet kryesore, Peterle tha se është ndryshimi i kornizës ligjore që zgjedhjet e jashtëzakonshme të caktohen në afate sikurse ato të zakonshmet, transparenca e financimit të kandidatëve dhe partive politike, si dhe sigurimi transparent i votimit në zonat ku jetojnë serbët në Kosovë.

“Koha e shkurtër e këtyre zgjedhjeve ka shkaktuar disa probleme sa i përket afateve ligjore. Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të gjitha kornizat duhet të respektohen në mënyrë të rreptë dhe nuk duhet të bien ndesh me njëra tjetrën. Prandaj rekomandojmë të ketë ndryshim të ligjit në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të shpallen me të njëjtën kohë si zgjedhjet e zakonshme. Do të thotë shpallja e zgjedhjeve vetëm 45 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit duhet të shmanget”, tha Peterle.

Në raport po ashtu rekomandohet që të bëhen përpjekje për heqjen e personave të vdekur nga lista zgjedhore, e po ashtu edhe shtimin e efikasitetit në ndjekjen, hetimin dhe gjykimin e personave që kryejnë vepër penale gjatë zgjedhjeve.

“Zgjedhjet parlamentare u shënuan me disa shkelje në komunitetin serb të Kosovës. Për t’u siguruar si votuesit ashtu edhe kandidatët të mund të shprehin preferencën e vet. Presim që të ndërmerren veprime nga ata që kanë ndikim në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos shënohen nga i njëjti problem. Votuesit e të gjitha komuniteteve në Kosovë meritojnë proces të lirë dhe demokratik. Ne rekomandojmë që nga secila komunë që nga fillimi i fushatës duhet të caktohet një prokuror, duhet të sigurohet hetime, ndjekje dhe aktgjykime të rasteve të shkeljes ndaj votuesve dhe kandidatëve. Të gjitha veprat penale zgjedhore duhet të hetohen dhe të ndiqen”, theksoi ai.

Një tjetër rekomandim shumë i rëndësishëm, është edhe transparenca e financimit të partive politike dhe kandidatëve.

“Ekziston nevojë e madhe për transparencë dhe kontrollim të financave të fushatës veçanërisht të financimit të kandidatëve dhe partive. Duhet të auditohen dhe ky auditim të publikohet. Kjo do të thotë se pari të zbatohen ligjet ekzistuese dhe miratimi i disa ndryshimeve të ligjit mbi financimin e partive politike”, u shpreh Peterle.

Misioni i BE-së, po ashtu ka rekomanduar edhe zgjatjen e afatit për ankesa në PZAP-së, nga 24 orë, në 48 orë për pjesëmarrësit në zgjedhje që duan të ankohen, derisa afati për shqyrtimin e këtyre ankesave nga PZAP-ja, të zgjatet në 4 ditë, apo 96 orë.

Misioni i BE-së do të jetë i pranishëm për t’i vëzhguar edhe zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ku përsëri shef i misionit do të jetë Alojz Peterle, i cili nisi punën që dita e sotme. Ai tha se në ditën e zgjedhjeve të 22 tetorit, numri i vëzhguesve të BE-së mund të shkoj deri në 100 veta. /kp