Aktuale

Kështu do të duket sheshi i ri i Podujevës

Në Podujevë kanë filluar punimet në realizimin e projektit të ndërtimit të Bulevardit dhe sheshit “Sheshi i dëshmorëve” në qendrën e qytetit.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka bërë sot përurimin solemn të fillimit të punimeve në ndërtimin e Bulevardit dhe “Sheshit të dëshmorëve” në qendrën e Podujevës.

Veliu ka thënë se ky është një nga projektet më të rëndësishme në qytet.

“Sot filluam punimet në realizimin e njërit nga projektet më rëndësishëm për qytetin tonë, ndërtimin e Bulevardit dhe “Sheshit të dëshmorëve”, në qendrën e qytetit. Me investimet e bëra deri tashti dhe projektet që po realizojmë, Podujeva po merr pamjen e një qyteti modern evropian”, ka thënë Veliu.

Projekti i ndërtimit të Bulevardit dhe “Sheshit të dëshmorëve” është dyvjeçar, kurse me për shkak të fillimit të zhvillimit të punimeve një segment i rrugës “Zahir Pajaziti” (nga udhëkryqi i rrugëve “Zahir Pajaziti” – “Dr.Bajram Krasniqi” deri tek udhëkryqi i rrugëve “Zahir Pajaziti” – “19 Qershori” – Rruga e re te xhamia), prej sot është mbyllur për qarkullim të automjeteve.

Gjatë kësaj periudhe kohore qytetarët do të mund të shfrytëzojnë për qarkullim rrugët e tjera në qytet, duke përfshirë edhe rrugën e re te xhamia në anën perëndimore të lumit Llap.