Shëndetësi

Kështu reagon trupi ndaj ndërrimit të orës

Kur akrepat e orës ndryshojnë me 60 minuta, organizmi pëson një sërë ndryshimesh, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën tonë.

Ndryshimi i orës shkakton rritje të stresit dhe një lodhje të përgjithshme, që ndikon edhe në kapacitetin tonë të përqëndrimit.

Organizmi i njeriut e ndien menjëherë ndryshimin, njësoj siç ndihet lodhja fizike me të cilën përballemi kur kalojmë nga një zonë orare në një tjetër, pas një udhëtimi të gjatë ajror.

Sipas disa studimeve, ata që e ndiejnë më shumë ndryshimin janë fëmijët dhe të moshuarit. Trupi ynë mund të vijojë të ndiejë ndryshimin edhe në ditët pasardhëse kryesisht 7 deri në 10 ditë, teksa ka vështirësi për të kapur ritmin e jetës.

Gjithashtu sipas një studimi të publikuar në “Neuroscience Letters”, njerëzit tentojnë të flenë më pak dhe shohin më pak ëndrra në periudhën e tranzicionit nga ora diellore në atë ligjore, e anasjelltas.

Studimet kanë evidentuar gjithashtu një rritje të ndjeshme numrit të aksidenteve rrugore, më së shumti të hënën e parë pas fundjavës së ndërrimit të orës.

Por si mund ta përballojmë pa stres ndërrimin e orës?

Sigurisht duke tentuar të vetëpërgatitemi në mënyrë që organizmi ynë ta ndiejë sa më pak lodhjen me të cilën do të përballet, raporton “Koha Jonë”.

Duke shkuar në shtrat disi më shpejt sesa zakonisht, kjo mund të ndihmojë shumë orën tonë biologjike, e mund të përballemi me më pak probleme zgjimi. Në përgjithësi, edhe në këtë rast stili i jetesës bën diferencën.

Përqëndrohuni tek aktivitetet fizike dhe ushqimi i shëndetshëm, mbi të gjitha në mbrëmje është mirë të konsumoni një darkë më të lehtë.

the authorBurbuqe Metolli