Aktuale

Kisha Ortodokse Serbe insiston të ndërhyjë në monumentin e Prizrenit

Kisha Ortodokse Serbe e ka përsëritur kërkesën për ndërhyrje në Kompleksin e Manastirit të Kryeengjëjve në Prizren.

Kërkesa, e cila është në shqyrtim e sipër nga Komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, është e dyta me radhë për të njëjtin rast.

Tre muaj më parë autoritetit kishtar nuk i ishte dhënë pëlqim për ndërhyrje në këtë kompleks. Refuzimi kishte ngjallur reagime jo vetëm të Kishës Ortodokse Serbe, por edhe të përfaqësive diplomatike në Kosovë. E kërkesa e dytë është bërë në fund të muajit dhjetor.

“Ne kemi pranuar një kërkesë të re nga Kisha Ortodokse Serbe dhe ajo në bazë të ligjit do të shqyrtohet sikurse çdo kërkesë tjetër që i drejtohet Komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, ka thënë Alban Bakija, drejtor i IKMM-së. Burime brenda këtij Komisioni i kanë thënë gazetës se javën që vjen, Kisha Ortodokse Serbe do ta marrë përgjigjen. Ani pse nuk u ishte dhënë pëlqimi, për ndërhyrje në Kishën e Shën Nikollës që është pjesë e kompleksit të Manastirit, në tetor të vitit që shkoi, autoritet shtetërore të Kosovës kishin vërejtur se Kisha Ortodokse Serbe kishte nisur punimet.

Zyrtarët e Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit kishin dalë në vendngjarje dhe kishin kërkuar ndërprerjen e punimeve, gjë që, sipas tyre, edhe ishte respektuar nga përfaqësuesit e Manastirit. Paraprakisht në prill të viti 2016, murgu Mihailo, në emër të Manastirit, kishte kërkuar pëlqimin nga Komuna e Prizrenit për projektin e restaurimit të Kishës së vogël të Shën Nikollës. Në fund të muajit maj, Komuna e kishte adresuar kërkesën në QRTK, e cila më pas ishte përcjellë tek IKMM-ja, si institucion kompetent për dhënien e lejeve dhe pëlqimeve për projektet e tilla.