Aktuale

Kjo është arsyeja e shkarkimit të Mariqit

Qëndrimi ilegal i Marko Gjuriqit në Kosovë dhe shoqërimi i tij nga ana e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Ljubomir Mariq, i ka kushtuar këtij të fundit me shkarkimin nga detyra e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, vetëm një ditë pas.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa, ka shkarkuar nga detyra ministrin serb të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq. Njoftimin e ka shpërndarë zyra e Kryeministrit, të premten në mesditë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë sot vendim për shkarkimin e Ljubomir Mariq nga detyra e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe njëkohësisht emërimin në këtë detyrë të Mirjana Jetviq, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka njoftuar Kryeministria.

Tutje, njoftimi sqaron se se vendimet për shkarkim dhe emërim të ri u morën me propozimin dhe në konsultim me përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Gazeta Express ka mësuar nga zyrtarë brenda kabinetit qeveritar se tashmë ish-ministri Mariq u shkarkua për shkak të qasjes së tij negative dhe të dëmshme për Kosovën, në pjesën e veriore të vendit dhe për shkak të jo lojalitet që ka treguar në raport me institucionet dhe Qeverinë e Kosovës.

Mariq, që sot me vendim të kryeministrit Mustafa u zëvendësua nga një tjetër ministre serbe, Mirjana Jetviq, të enjten shoqëroi në Mitrovicë të Veriut shefin e të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Beogradit, Marko Gjuriq. Derisa zyrtari nga Serbia ishte futur ilegalisht në Kosovë për të përuruar një pompe benzine, po ashtu, ilegale në këtë pjesë të Kosovës. /GazetaExpress/