Sport

Klopp, i gatshëm ta rindezë rivalitetin me Mourinhon

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka mirëpritur kthimin e Jose Mourinhos në Premierligë, duke thënë se është një ndjenjë e këndshme ta shohësh portugezin sërish në botën e futbollit si trajner i Tottenhamit.

Jurgen Klopp kishte qenë personi që ia kishte mbyllur karrierën në Manchester United Jose Mourinho, pasi që fitorja me rezultat 3:1 në dhjetor të vitit 2018 i detyroi “Djajtë e kuq” ta shkarkonin portugezin.

Më pak se 12 muaj kanë kaluar që nga atëherë dhe trajneri, që më herët e kishte shijuar triumfin në Premierligë me Tottenhamin, e ka edhe një mundësi për ta dëshmuar veten në Premierligë me klubin e tretë anglez në karrierë.

Klopp është shprehur i kënaqur që Mourinho e ka marrë pozitën e trajnerit të Tottenhamit, edhe pse ai e shprehi edhe habinë që Tottenhami u nda me trajnerin me të cilin ai ishte përballur në finalen e Ligës së Kampionëve vetëm para disa muajve.

“Mirë se erdhe, Jose! Është e këndshme ta kemi atë këtu sërish. Ai ishte i dëshpëruar, mund ta vërenit këtë nga koha që ishte në pozitën e trajnerit”, tha Klopp në një konferencë për shtyp para përballjes me Crystal Palace të shtunën.

“Sa shpejt ndryshojnë gjërat! Para pesë muajve, ne luajtëm kundër Mauricio Pochettinos në finale të Ligës së Kampionëve, tani ai është në pushime. Ai bëri punë brilante në Tottenham”.

“Kur fillimisht dëgjova për këtë [shkarkimin e Pochettinos] nuk më besohej. Me të vërtetë shpresoj se ai mund t’i shijojë disa ditë, javë apo muaj pushim. Ndërsa, Jose është shumë i motivuar, kështu që do të jetë interesant”.

“Pochettino është një djalosh i mrekullueshëm. Ndeshja ime e parë në Premierligë ishte kundër tij, kështu që ne e kemi një lidhje. Ai do të jetë në garë për çdo pozitë të lirë të trajnerit. Gjithçka do të shkojë mirë për të, por kjo ishte e bujshme”.

the authorGazetaKNN