Aktuale

KMDLNJ: Deputetët të mbajnë seancën konstituive pa e kushtëzuar njëri-tjetrin

KMDLNJ ka reaguar përmes një komunikate për media pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk ka vullnet politik serioz për tejkalimin e situatës bllokuese, pasi është krijuar një mjedis ku shantazhimi është bërë një mjet legal për kundërshtimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe sigurimin e votave.

KMDLNJ konsideron se opozita nuk ka të drejtë ta kushtëzojë votimin duke e kundërshtuar Kadri Veselin sikur që as pozita nuk do të kishte të drejtë ta kushtëzonte votën kundër Albin Kurtit apo Avdullah Hotit si kandidatë të mundshëm për post të kryeministrit.

“Sigurisht se PAN , në rrethana të kushtëzimit dhe shantazhit për emrin e propozuar nuk do të marrë pjesë në punën e seancës konstituive, sepse këtë të drejtë ia njeh Kushtetuta prandaj është krijuar një situatë bllokuese ku njëra palë e akuzon të tjetrën për bllokim të seancës”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, KMDLNJ konsideron se subjektet politike janë të pasinqerta, sepse po i fshehin qëllimet e vërteta përmes akuzimit të njëra-tjetrës për bllokim, e ai është se duan të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Do të ishte shumë më e pranueshme që të mbahet seanca e pakushtëzuar nga askush dhe me asgjë, të zgjidhen organet drejtuese të Kuvendit dhe pastaj, me një marrëveshje politike të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ose, presidenti i Kosovës duhet të marrë një vendim për zgjedhje të jashtëzakonshme . Tjetër mundësi mbetet një “ sakrificë “ e ndonjë subjekti politik apo grupi të deputetëve që të kontribuojnë për zhbllokimin e situatës duke votuar për drejtuesit e Kuvendit e pastaj për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin pavarësisht se kush do të ishte ai apo ajo”, thuhet më tej në komunikatë.

KMDLNJ thekson se është shumë e pamoralshme nga deputetët që menjëherë pasi u certifikuan, me ç’rast iu aktivizuan llogaritë e tyre bankare që marrin mjetet nga Kuvendi në emër të pagave, tash të luajnë një rol bllokues që dëmtojnë rëndë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës, por jo edhe xhepat e deputetëve.

Për këtë arsye KMDLNj ka propozuar dhe propozon që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos kompensohen për punën e dëmshme që janë duke e bërë siç është bllokimi dhe paralizimi i jetës institucionale të Kosovës.

Në këtë kontekst për KMDLNj është i papranueshëm fakti që përmes emërimit në poste ministrore që mbetën të zbrazura , të emëruarit që mund të jenë në atë poste ndoshta jo më tepër se një muaj , të kompensohen edhe një vit të plotë pas përfundimit të mandatit që është keqpërdorim flagrant i Buxhetit të Kosovës dhe një klientelizëm konkret në baza partiake dhe politike.

KMDLNJ konsideron se të emëruarit në këto poste duhet të kompensohen vetëm aq kohë sa edhe do të jenë të angazhuar dhe jo më shumë.

KMDLNJ u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’i kthehen mandatit që e kanë fituar nga qytetari e ai është angazhimi për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës e jo bllokimin që po e përdorin si mjet shantazhi për arritjen e qëllimeve politike.

“Ky veprim përveç se është i pamoralshëm dhe i dëmshëm për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, do të duhej të ishte edhe i dënueshëm me ligjet në fuqi. A jemi për koalicione, parti dhe deputetë që i shërbejnë qytetarit dhe shtetit, apo për grupime kaçakësh dhe cuba që e plaçkitin qytetarin dhe e dhunojnë shtetin”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

the authorE B