Aktuale

KMDLNJ: Naser Makolli asnjëherë nuk ka deklaruar se ka probleme shëndetësore

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut nëpërmjet një komunikate ka shprehur shqetësimin në lidhje me vdekjen e Naser Makollit në Qendrën e Paraburgimit dje në Lipjan,
Në këtë reagim KMDLNJ sqaron se ka intervistuar tashmë të ndjerin për rastin “Dehari” edhe pas transferimit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe se ai asnjëherë nuk është deklaruar se ka probleme shëndetësore.

KMDLNJ kërkon hetime të shpejta dhe profesionale në lidhje me vdekjen e Naser Makollit.

Komunikata e plotë e KMDLNJ-së:

Më datë 3 prill 2017 në rrethana ende të pasqaruara vdiq i paraburgosuri Naser Makolli. I paraburgosuri Naser Makolli me datë 07.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ishte intervistuar nga KMDLNj për “rastin Dehari” pasi që i fundit ishte ndarë nga i njeri Dehari dhe i pari e kishte parë të shtrirë në dyshemen e dhomës së Q.P në Prizren aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari. Deklarata e KMDLNj për këtë rast ishte bërë publike ndërsa i paraburgosuri, tashmë i ndjeri Naser Makolli i kishte dhënë disa intervista. Pas transferimit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, Naser Makolli ishte vizituar nga KMDLNj por, në asnjë rast nuk ishte deklaruar se ka probleme shëndetësore pas së cilave KMDLNj do të kërkonte trajtimin e tij shëndetësor nga Shërimi Shëndetësor i Burgjeve. Vdekja e të paraburgosurit Naser Makolli për KMDLNj-në paraqet shqetësim të madh prandaj kërkon hetime të shpejta dhe profesionale pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia e mundshme. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve ka përgjegjësi morale, materiale dhe ligjore për sigurimin e jetës së personave të privuar nga liria dhe trajtimin e tyre në përputhje me Ligjin për Eksekutimin e Sanksioneve Penale dhe standardeve ndërkombëtare. Në vitin 2016, KMDLNj ka regjistruar katër (4) vdekje në burgje dhe 11 tentim për vetvrasje prandaj si njërin prej rekomandimeve kryesora e ka pasur ngritjen e kapaciteteve profesionale të shërbimeve shëndetësore në burgjet e Kosovës si dhe ndërtimin e një spitali brenda hapësirave të institucioneve korrektuese e të tilla ka mjaftueshëm shkaku se janë ndërtuar kapacitete të paraburgimi dhe korrektuese në masë më të madhe se sa është nevoja reale. Të punësuarit në SHSHB duhet të kenë stimulim dhe kushte të veçanta nëse duan që ky shërbim Shëndetësor i Burgjeve të profesionalizohet dhe të ofrojë shërbime cilësore shëndetësore. KMDLNj ka identifikuar së paku edhe 10 raste që meritojnë trajtim urgjent dhe profesional apo pezullim të dënimit në përpjekje për shërim. Të dënuarit me diagnozë terciare (sëmundje të pashërueshme) duhet të lirohen ndryshe numri i të burgosurve që do të vdesin nga sëmundja e cila (për shkak se janë të burgosur) domosdoshmërisht do të trajtohen si vdekje të dyshimta vetëm sa do të rritet. KMDLNj kërkon nga Shërbimi Korrektues i Kosovës të jetë më transaparent në reagime dhe të mos vonohet sikur në rastin e Naser Makollit.

Ndryshe do të krijojë hapërisë për manipulime të ndryshme dhe interpretime sipas nevojave politike etj.. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut kërkon që të mos ndërhyhet në hetimet për këtë rast dhe të priten rezultatet e obdukcionit i cili qartë do të vërtetojë kohën, shkakun dhe mënyrën e vdekjes. Duhet t’i shmangemi deklaratave paragjykuese deri të përfundojnë hetimet si dhe duhet të tregohet më shumë respekt për dhimjen e familjes Makolli.

the authorE B